Ballina Lajme nga Vendi

Protesta, Braçe fton studentët të dialogojnë

TIRANË, 10 dhjetor /ATSH/ – Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe, ftoi studentët të pranojnë propozimin e kryeministrit Edi Rama për dialog, pasi sipas Braçes, Kryeministri u ka ofruar zgjidhje për çdo kërkesë që ata kanë parashtruar gjatë këtyre ditëve në protestë.

“Dua të përsëris edhe një herë thirrjen për çdo vajzë e djalë – student, pedagog e pedagoge që kanë shqetësim parësor, universitetin, jo pushtetin, studentin jo shkrepësen. Merrni zgjidhjen tani, dialogoni për çdo gjë tjetër rreth të cilës keni një ide, prej vitesh jepni një ide që është vrarë nga partitë që udhëheqin universitetin”.

Deputeti socialist ftoi studentët të mbajnë bindjet e tyre politike, por të kenë kujdes e mos përdoren nga politika.

“Nuk ju kërkon kërkush të ndryshoni bindjen, idenë tuaj, thuajeni, ndajeni, diskutojeni, miratojeni, ose jo, përmes dialogut. Refuzojini tani partitë që ju konsiderojnë shkrepëse për zjarr!

Erion Braçe u tha studentëve se Kryeministri Rama iu ka ofruar zgjidhje për çdo kërkesë  që ata kanë parashtruar.

“Po tani? Kush ju pengon të merrni zgjidhjen? Kërkesa për përgjysmim të tarifave e plotësuar, madje e tejkaluar me zerim të tarifave deri në përgjysmim, gjithnjë në bazë të meritës akademike, rezultateve, por dhe statusit social, paguar nga buxheti i shtetit, tejkaluar, me bursa nisur përsëri nga merita akademike. Të pa kërkuara këto të fundit!!!”

“Kërkesa për përmirësimin e kushteve në Qytetin Studenti, e plotësuar, madje e tejkaluar me financimin e rikonstruksionit të godinave ekzistuese, e tejkaluar me financimin e plotë të ndërtimit të kampusit universitar, e tejkaluar me rishikimin e tarifës për strehimin në konviktet ekzistuese. Të pa kërkuara këto të fundit!!!”

“Kërkesa për pjesëmarrje në bordet e administrimit, e plotësuar, madje e tejkaluar me shkarkimin e të gjithë përfaqësuesve të qeverisë në bordet e administrimit, e tejkaluar me vendin bosh për një të zgjedhur prej studentëve në formën e mënyrën e caktuar prej tyre. Njëra e pa kërkuar!!! E pa kërkuar edhe alternativa për punësim të studentëve të shkëlqyer në rezultate akademike në institucione publike. Gjithçka tjetër e mundshme për t’u zgjidhur, duke nisur me bibliotekat shkencore digjitale etj. etj.”, thotë ai.

Në fund, deputeti socialist pyet studentët se përse hezitojnë të dialogojnë.

“Ka orë që Kryeministri Edi Rama i ka artikuluar këto! Ka edhe më shumë se kaq, por për diskutim me studentët e pedagogët që kanë shqetësim real të tashmen e të ardhmen e universitetit publik. Përse nuk shkoni të merrni zgjidhjen dhe të diskutoni për gjithçka tjetër? A ishte ky qëllimi? Përse keni frikë nga ndryshimi, pjesëmarrja për të ndryshuar radikalisht universitetin publik? Kush po ju pengon? Partia? Partitë? Ideologjia e ardhur nga dështimi aty lart? Skenari?”, përfundon Braçe. /o.l/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDobësohuni shëndetshëm me disa pije “magjike”
Artikulli tjetërZbuloni si të kujdeseni për lëkurën gjatë dimrit që të mos ju thahet