BERLIN, 6 dhjetor /ATSH- DPA/ – Një në dy biznese të vogla dhe të mesme në Gjermani është spiunuar nga konkurrentët apo agjencitë e huaja të zbulimit, zbuloi një studim i publikuar në shtypin gjerman.
Studimi, i kryer nga instituti ”Max Planck” dhe instituti ”Fraunhofer”, përfshinte 583 ndërmarrje të vogla dhe të mesme në të gjithë sektorët e vendit.
“Rezultatet e këtij studimi si dhe studime të tjera të ngjashme, tregojnë se asnjë kompani nuk mund të ndihet e sigurt”, thotë raporti.
Autorët tregojnë një numër të madh të rasteve të panjohura për shkak të faktit se shumica e rasteve të spiunazhit nuk janë zbuluar dhe ato që janë, vetëm një fraksion i tyre raportohet në polici.
Raporti gjithashtu konkludon se rreth 20% e kompanive me 50 ose më pak të punësuar nuk kanë një strategji në vend për të trajtuar spiunimin vendas dhe të huaj.
”Në shumicën e rasteve, autorët janë konkurrentët komercialë”, thuhet në raport, duke shtuar se ata shpesh janë “punonjës të tyre ose ish-të punësuar, kompani të palëve të treta, konkurrentë apo edhe konsumatorë”.
“Këta autorë janë veçanërisht të rrezikshëm, pasi ata janë në gjendje të vlerësojnë situatën e kompanisë dhe vlerën e informacionit që mund të merret,” thotë raporti./ /os/ a.jor.























