TIRANË, 5 dhjetor/ATSH/- Dekori i veçantë i vendosur në Pazarin e Vjetër të Korçës do t’i japë këtij qyteti një bukuri magjepsëse për festat e fundvitit.
Për dekorimin e qytetit sot punonjësve të bashkisë iu bashkuan edhe nxënësit e shkollave të mesme “Faik Konica” dhe “Themistokli Gërmenji”.
Kryetari i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo shprehet se një dekor fantastik do të gjeni në Korçë për festat e fundvitit.
“Faleminderit nxënësve të shkollave të mesme “Faik Konica” dhe “Themistokli Gërmenji”, të cilët na u bashkuan për të zbukuruar rrugicën e dritave tek Pazari i Vjetër. Një dekor fantastik do të gjeni në Korçë për festat e fundvitit”.
“Në 8 dhjetor, ju presim tek Festivali i Dritave në zonën këmbësore”, tha Filo.
Qyteti, i cili është afirmuar për festat e veçanta që sjell, do të përfshihet ditë pas dite nga evente të veçanta për të kulmuar në natën e Krishtlindjes dhe mbrëmjen e Vitit të Ri. /k.s/j.p/






























