TIRANË, 4 dhjetor/ATSH/ Përmirësimi i shërbimeve për viktimat e dhunës me bazë gjinore dhe viktimat e dhunës në familje ishte në fokus të një takimi ndërinstitucional të organizuar sot në Shkodër.
Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, në cilësinë e koordinatorit të Komitetit Drejtues në mekanizmin e bashkërendimit të punës për referimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës në marrëdhëniet familjare, organizoi dhe drejtoi sot mbledhjen e Komitetit Drejtues, ku pjesëmarrës ishin drejtues dhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave, pjesë e mekanizmit.
Në këtë mbledhje u diskutua mbi shërbimet e krijuara në territor, problematikat dhe nevojat për ndërhyrje në përmirësimin e shërbimeve për viktimat e dhunës me bazë gjinore dhe viktimat e dhunës në familje.
“Ky komitet funksionon prej 2 vitesh dhe trajton të gjitha rastet që ndodhin në territor. Takimi synonte marrjen e hapave të domosdoshme në drejtim të luftës ndaj dhunës në familje. Ne kemi pasur rezultate, pasi ka një numër në rritje të rasteve të trajtuara”, tha Ademi. /m.m/j.p/





















