TIRANË, 4 dhjetor/ATSH/- Në Sarandë u zhvillua sot dëgjesa publike për Paketën Fiskale 2019.
Në këtë dëgjesë ishin të pranishme kryetarja e këshillit bashkiak Tatiana Alikaj, kryetarja e bashkisë Sarandë, Florjana Koka, këshilltarë bashkiakë, kryetarë të fshatrave që janë pjesë e territorit administrativ të bashkisë Sarandë, anëtarë të forumit qytetar, përfaqësues të Shoqatës së Industrisë së Turizmit, biznese të sektorëve të ndryshëm që operojnë në këtë territor dhe qytetarë të interesuar.
Kryebashkiakja Koka prezantoi punën e bërë për hartimin e Paketës Fiskale 2019 dhe të projekt buxhetit 2019, pasi janë tërhequr kërkesat dhe nevojat e komuniteteve. Njëkohësisht kreu i ekzekutivit vendor nënvizoi faktin që Paketa Fiskale e vitit të ardhshëm është një paketë pa rritje taksash e tarifash, që nuk rëndon buxhetet familjare të qytetarëve.
Koka u ndal në veçorinë e kësaj pakete, që është karakteri i saj i drejtë, në kontekstin e zgjerimit të bazës së taksimit dhe të adresimit më të saktë të ngarkesës fiskale, jo në mënyrë aforfe, por bazuar në parametra realë të pronësisë, që vendos shkallëzime të drejta, brenda kategorive të ndryshme.
Kryetarja e bashkisë Koka tha se kjo paketë na intereson të gjithëve, pasi na takon të gjithëve ta respektojmë në të gjithë elementet e saj e sidomos në elementin PROTAKS (taksa për pronën) që është e reja e saj.
Zëvendëskryetari Jorgo Mitro, që mbulon edhe drejtorin e Taksave dhe Tarifave Vendore, veçoi faktin që ndonëse Paketa Fiskale 2019, ka të njëjtën “peshë” me atë të 2018, pra, nuk ka rritje tarifash dhe taksash, si efekt i zgjerimit të bazës së taksimit dhe i diferencimit që aplikon, sjell një rritje të ardhurash në arkën e bashkisë prej 60 milionë lekë.
Referuar vendim marjres së seancës parlamentare të 3 dhjetorit, zëvendëskryetari Jorgo Mitro tha se “ajo nuk sjell ndryshime esenciale në draftin e Paketës Fiskale të bashkisë Sarandë, pasi amendimet e bëra përfaqësojnë saktësime dhe përsosje termash dhe adresimesh”.
Rreth draftit të prezantuar të Paketës Fiskale u bënë mjaft pyetje dhe sugjerime nga të pranishmit. Ato kishin të bënin me përshkallëzimet që do të aplikohen për taksën e pronës, për të cilën u sqaruan se çdo pagesë do të bëhet referuar sipërfaqes reale që përmban certifikata e banesës apo e biznesit dhe jo si deri tani, në një nivel tarife.
Po ashtu u kërkuan sqarime dhe u bënë sugjerime edhe për mbështetje bashkiake në procesin e hipotekimit të tokave të përftuara nga ligji 7501, si dhe për vendosjen e përshkallëzimit në taksimin për parkimet e autobusëve, referuar kapaciteteve te ndryshme.
Gjatë dëgjesës publike u vlerësua me impakt pozitiv në mjedis vendosja e taksës për mbetjet e ngurta inerte, të nxjerra nga qytetarët në riparime të ndryshme në banesa apo biznese.
Në mbyllje të dëgjesës u çmuan të vlefshme të gjitha pyetjet e sugjerimet që u drejtuan dhe u theksua se dëgjesa të tilla është e nevojshme të zhvillohen me grupe interesi, por edhe me prani në panele mediesh, për të bërë të mundur që sqarimet për të cilat ka interes publiku, të shkojnë mundësisht tek çdo taksapagues. /k.s/j.p/


























