TIRANË, 3 dhjetor/ATSH/- “Duhet të organizohemi të bashkëpunojmë, të mblidhemi dhe të jemi së bashku në luftën kundër lajmit të rremë, për të luftuar gënjeshtrën”.
Kështu deklaroi sot në Tiranë drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë polake të lajmeve PAP, Wojciech Surmacz, në konferencën ndërkombëtare të organizuar nga Agjencia Telegrafike Shqiptare “Agjencitë e Lajmeve vs ‘Fake News’”.
“Mendoj se ne sot jemi agjenci informacioni, shtypi, agjenci telegrafike, që do të thotë jo vetëm prodhojmë informacione, por ne duhet t’i analizojmë ato, duhet t’u ofrojmë njerëzve të vërtetën duke përdorur inteligjencën artificiale”, nënvizoi Surmacz.
Për ne, vijoi ai, është pak e vështirë, mund të jetë e vështirë për shumë arsye.
Sipas tij, çdo agjenci informacioni sot ka probleme financiare për shkak të teknologjisë që na mungon.
“Ne duhet të luftojmë me google se nuk kemi shanset dhe njohuritë e duhura. Duhet të organizohemi të bashkëpunojmë, të mblidhemi dhe të jemi së bashku në luftën kundër lajmit të rremë për të luftuar gënjeshtrën”, theksoi Surmacz.
Drejtori i Agjencisë polake të lajmeve PAP, Wojciech Surmacz, tha se “duhet të luftojmë për të vërtetën, sepse është e vërteta që ju çliron, që ju bën të ndiheni të lirë”./k.s/j.p/




















