Ballina Lajme nga Vendi

Shqipëria i ka plotësuar kushtet për hapjen e negociatave

TIRANË, 26 nëntor/ATSH/ Kryetarja e komisionit parlamentar për Politikën e Jashtme, Mimi Kodheli, priti sot në Selinë e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë, ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Lituanisë në Shqipëri (rezident në Athinë), Rolandas Kacinskas, me kërkesë të këtij të fundit.

Kodheli i uroi ambasadorit lituanez mirëseardhjen dhe shprehu kënaqësinë për marrëdhëniet shumë të mira, që ekzistojnë midis dy vendeve tona.

Ambasadori lituanez u shpreh se vendi i tij vlerëson zhvillimet demokratike në Shqipëri, si edhe orientimin e saj të palëkundur e të padiskutueshëm properëndimor. Shqipëria, për z. Kacinksas, me radhitjen e saj 100% me qëndrimet e BE-së në kuadrin e politikës së jashtme dhe sigurisë së përbashkët, përbën një shembull në Ballkanin Perëndimor.

“Për ne Shqipëria është një partnere e denjë edhe në kuadrin e NATO-s. Pjesëmarrja juaj në forcat e përbashkëta të NATO-s, që ndodhen në Letoni, është një shprehje e qartë e solidaritetit dhe kontributit të Shqipërisë në mbrojtje të paqes dhe sigurisë së vendeve tona balltike. Lituania është mbështetëse e proceseve integruese të Ballkanit Perëndimor, por mendon se Shqipëria është vendi që politikisht qëndron më pranë Europës, që luan një rol konstruktiv në rajon e më gjerë dhe që ka plotësuar kushtet për hapjen e negociatave vitin e ardhshëm”, – u shpreh ambasadori.

Kryetarja e komisionit për Politikën e Jashtme shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Lituania i ka dhënë e i jep Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit euro-atlantik, si edhe shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin shumë të mirë dypalësh e shumëpalësh midis Shqipërisë dhe Lituanisë, veçanërisht atij politik dhe në fushën e sigurisë.

Kodheli vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin midis vendit tonë dhe Lituanisë në Organizatën për Siguri e Bashkëpunim në Europë dhe theksoi se vullneti i Shqipërisë për të marrë kryesinë e ardhshme të OSBE-së në vitin 2020, ka një rëndësi politike jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për tërë hapësirën e organizatës, parë në kontekstin gjeopolitik aktual.

Ambasadori Kacinskas u shpreh se vendi i tij ishte plotësisht i të njëjtit mendim dhe e siguroi Kodheli për mbështetjen lituaneze të kandidaturës së Shqipërisë për të marrë kryesinë e ardhshme të OSBE-së në vitin 2020.

Në përfundim të takimit bashkëbiseduesit shprehën angazhimin për të intensifikuar më tej bashkëpunimin parlamentar si një element mjaft i rëndësishëm në rritjen dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe e shumëpalëshe midis vendeve tona. /m.z/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFRANCË – 1,5 milionë euro dëme në dyqanin “Dior”
Artikulli tjetërProtesta, Basha: Opozita do të përkrahë banorët, projekti vjedhje e pastër