Njohje e plotë e gjithë dokumenteve mes Shqipërisë dhe Kosovës

TIRANË, 26 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Njohje e plotë e gjithë dokumenteve mes Shqipërisë dhe Kosovës brenda gjashtëmujorit të parë 2019.

Këtë parashikon marrëveshja e nënshkruar sot në Pejë mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës.

Në mbledhjen e përbashkët të dy kabineteve qeveritare, Kryeministri Edi Rama u shpreh se nuk do të kërkohen më dy palë dokumente.

“Boll u bënë vite të tëra pavarësi, u bënë vite të tëra mbledhje dhe shprehje qëllimesh të mira dhe sot vazhdojnë kërkohen dy palë dokumente për lopët, për viçat, për delet andej e këtej. Një palë dokumente dhe brenda 6-mujorit të parë të vitit të ardhshëm, çfarë jepet në Kosovë si dokument, duhet të konsiderohet dokument i nxjerrë në Shqipëri. Çfarë jepet në Shqipëri si dokument duhet të konsiderohet dokument i nxjerrë në Kosovë dhe sipërmarrësit shqiptarë të Kosovës apo të Shqipërisë mjafton të shkojnë në një derë dhe jo të shkojnë në dy dyer. Ne nuk jemi shqiptarët dhe serbët, ne jemi shqiptarët dhe shqiptarët”, – tha Rama. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.