Ballina Aktualitet

Protesta para Kuvendit, Balla: Në emër të zaptimit, u ngrit dorë kundër ligjit

TIRANË, 22 nëntor /ATSH/ – Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka shprehur në emër të grupit parlamentar të PS-së, të gjithë solidaritetin dhe urimet për shërim sa më të shpejtë për punonjësit e Policisë së Shtetit të plagosur sot nga protestuesit para Kuvendit.

Balla u shpreh se, “punonjësit e policisë u plagosën gjatë ushtrimit korrekt të detyrës së tyre nga dhuna e pashoq në emër të paligjshmërisë e disa personave, për të cilët, sigurisht, forca e ligjit duhet të jetë ndëshkuese për të mos lënë më asnjë hapësirë ripërsëritjeje të këtij fenomeni të turpshëm, ku një vajzë e re 24 vjeç, punonjëse policie ka humbur 4 gishta dhe po merr trajtimin adekuat në spitalin e Traumës”.

Duke folur për opozitën, Balla theksoi se, “sikurse kjo pjesë e sallës jo vetëm është bosh, por ka përdorur deputetë mercenarë për të frymëzuar dhunën kundër punonjësve të Policisë së Shtetit. Ky është turp i radhës i PD dhe LSI, që në vend që të ishin këtu për të diskutuar për buxhetin e shtetit, në vend që të mbështesin një buxhet që rrit pagat, pensionet, heq taksat për inputet bujqësore, ndërton një sërë rrugësh, kanalizime ujërash të zeza, ujësjellës në një pjesë të mirë të territorit të vendit, bëhet bashkë me një grup zaptuesish, emra të cilëve janë bërë publikë nga Kryeministri dhe në emër të zaptimit dhe paligjshmërisë guxojnë të ngrenë dorën kundër ligjit, sikundër nuk e respektuan ligjin kur i zunë frymën rrugës së Unazës së Tiranës”.

“Më lejoni që në emër të grupit parlamentar, t’u uroj shërim të shpejtë atyre punonjësve të Policisë së Shtetit të dëmtuar. Shërim të shpejtë edhe atyre qytetarëve të gjendur aty rastësisht dhe të shpërdoruar politikisht, nga një opozitë, e cila është bërë si kukuvajkë që kudo ku ka zhurmë shkon dhe bëhet pjesë e zhurmës dhe pa e ditur pse janë aty”, u shpreh Balla.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së iu drejtua edhe personalisht e kreut të PD-së, Lulzim Basha duke thënë se, “Ty Lulzim je i pari që nuk nuk të takon të protestosh për dëmshpërblim, sepse atyre qytetarëve të thjeshtë duhet t’u tregosh që ti ke interesat e tua kur bëhet fjalë për dëmshpërblim. Se ti dhe vjehrri yt jeni ata persona që doni t’i bëni presion qeverisë për t’u dëmshpërblyer për ndërtim pa leje për shkak të një vendimi të një gjykate dhe sigurisht që nuk mund të jesh ti ai që del në krahun e atyre që duhen dëmshpërblyer. Por, për ne sot ka rëndësi të jemi pranë punonjësve të Policisë së Shtetit të cilët meritojnë respektin për punën që bëjnë përditë”, tha Balla.

Balla gjithashtu i bëri thirrje Prokurorisë së Tiranës që të fillojë hetimet për ngjarjet e sotme.

/gj.mima/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBuxheti i Shëndetësisë, 43,3 % më i lartë se 5 vite më parë
Artikulli tjetërITALI – Roma rikonfirmon vullnetin për mosndryshimin e buxhetit