TIRANË, 21 nëntor /ATSH/ Brenda këtij mandati të qeverisë, librat do të shpërndahen falas për nxënësit deri në klasën e nëntë. Kryeministri Rama dha këtë premtim, ndërsa mori pjesë në prezantimin e buxhetit 2019 për Arsimin.
Ai theksoi se buxheti për vitin e ardhshëm parashikon libra falas për fëmijët deri në klasën e pestë, ndërsa këtë vit librat u morën falas nga fëmijët deri në klasën e katërt.
“Vitin e ardhshëm do përfshihet edhe klasa e pestë. Do marrin libra falas të gjithë fëmijët deri në klasën e pestë me buxhetin 2019, ndërsa brenda mandatit deri në klasën e nëntë. Ky është zotimi që kemi marrë e do ta mbajmë”, – theksoi Rama.
Ai theksoi se është një zotim jo i lehtë dhe se ka ende diskutime me mësuesit e drejtoritë për çështjen e marrjes së librave në fund të vitit. “Kemi parë edhe modele të tjera si funksionojnë, por të gjithë duhet ta kuptojnë, sidomos prindërit që nuk kanë kapur prej kohësh libër me dorë, se nuk është çështje thjesht lekësh. Franca nuk e ka vendosur rregullin e kthimit të librave se ka problem buxhetin e shtetit, por për një arsye shumë më të thellë se kaq. Libri nuk është një mall si gjithë të tjerët edhe pse blihet, libri është një dashuri dhe dashuria ka një vlerë që nuk paguhet dhe marrëdhënia me atë objekt është një marrëdhënie që themelon të gjithë konstitucionin e fëmijës për gjithë vitet që vijnë”, theksoi Kryeministri.
Kryeministri Rama vuri në dukje me keqardhje për prindërit që “nuk kanë zënë libër me dorë prej një kohe të gjatë”, se nuk mund të lejojmë që edhe fëmijët të kenë marrëdhënie me librin si një mall që blihet, pasi stresohet fëmija nëse nuk e gris, e zhgarravit apo e hedh librin”, – theksoi ai. /j.p/











