Ballina Lajme nga Vendi

21 Nëntori, dita Botërore kundër sëmundjeve kronike të mushkërive

TIRANË, 21 nëntor/ATSH/- 21 Nëntori njihet ndryshe si dita botërore e sëmundjeve pulmonare obstruktive kronike (SPOK), pra sëmundjet e mushkërive.

Dita Botërore e SPOK-ut ka si qëllim rritjen e ndërgjegjësimit të popullatës për këto sëmundje. Në botë numri i individëve që vuajnë nga këto sëmundje kap shifrën 250 milionë. SPOK është aktualisht shkaku kryesor i vdekjes në botë dhe është shumë i përhapur në vendet me të ardhura të ulëta.

Mesazhi i ditës së SPOK-ut për këtë vit është: “Nuk është as shumë herët, as shumë vonë”.

Simptomat që shfaqen më shpesh janë: mosmbushja me frymë, shtrëngimi në kraharor, kolla me mukus (gëlbazë) të tepërt, sidomos në mëngjes, fishkëllima në frymëmarrje etj.

Si diagnostikohet SPOK-u?

Doktori juaj duhet t’ju pyesë për historinë mjekësore dhe duhet t’ju bëjë një ekzaminim fizik. Ai mund të kërkojë një ose disa nga testet e mëposhtme: grafi të thjeshtë me rreze-x dhe/ose skaner të toraksit, teste të funksioneve pulmonare (të mushkërive) – një teknik i sëmundjeve të mushkërive përdor disa teste për të parë sa mirë funksionojnë mushkëritë tuaja, oksimetri e pulsit – një test pa dhimbje që mat nivelin e oksigjenit në gjak, analizë e gazit në gjak – një test gjaku që mat sasinë e oksigjenit dhe dioksidit të karbonit në gjak.

Shkaktarët kryesorë të SPOK lidhen me duhanpirjen, ndotjen e ajrit dhe pluhurat e kimikatet në vendin e punës.

z.tosku/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakLezha dhe komunat e Malit të Zi shkëmbim eksperiencash në fushën e turizmit
Artikulli tjetërVlorë, ulet numri i të prekurve nga sëmundjet kronike të mushkërive