Ballina Kulturë

Vlorë, Java e kuzhinës italiane, aktivitete të hapura për publikun

Vlorë, 19 nëntor/ATSH-Harilla Koçi/ Konsullata e Përgjithshme e Italisë në Vlorë ka planifikuar të organizojë aktivitete të shumta dhe të hapura, në kuadrin e Javës së Tretë të Kuzhinës Italiane nëpër Botë, që ka nisur këtë të hënë dhe do të vazhdojë deri në 25 nëntor.

Në një intervistë për ATSH-në, Konsullja e Përgjithshme e Italisë, Luana Micheli nënvizoi se, një pjesë e aktiviteteve të programuara do të jenë të hapura për publikun, ndërkohë që, të tjera do të zhvillohen në mjedise të institucioneve arsimore, kryesisht të nivelit 9-vjeçar.

Kuzhina italiane, që është tipike mesdhetare, ka disa karakteristika që e bëjnë atë tërheqëse dhe të veçantë krahasuar me lloje të tjera. Prandaj dhe ajo pëlqehet mjaft në vende të ndryshme të botës dhe vlerësohet si një nga resurset që ka ndikim në zhvillimin e turizmit në vendin fqinj.

Në këtë kuadër, Java e Kuzhinës Italiane, që këtë vit hyn në edicionin e tretë të saj, një nismë dhe organizim i Ambasadës së vendit fqinj në Tiranë, synon të përçojë vlerat e kësaj kuzhine në vende të ndryshme, si edhe ta bëjë atë pjesë të natyrshme të komuniteteve në këto vende.

Konsullja e Përgjithshme e Italisë në Vlorë, shprehet se, gjatë gjithë eventeve që do të zhvillohen, do të flitet për ushqim të mirë, të shëndetshëm, ndërkohë që do të synohet që protagonistët dhe pjesëmarrësit në këto aktivitete, të mësojnë elementë të ndryshëm të gatimit, veçanërisht atë të pastave të famshme italiane.

Një nga aktivitetet më të spikatura të kësaj jave, do të jetë ai që do të zhvillohet në Sheshin “Tri Racat”, në qytetin e Vlorës, ku, sipas konsulles Micheli, do të promovohet një “brand” shumë i njohur i kuzhinës italiane, që është ai Rajonit Marche, me ekselencat e veta, djathin, pastat etj. Kjo kuzhinë, që ka bërë emër në Itali dhe në botë veçanërisht në tre dekadat e fundit, ka edhe një element tjetër të spikatur, siç është vera, e cila, ashtu si edhe gatimet, do të ofrohet për qytetarët që do të jenë të pranishëm në këtë shesh gjatë aktivitetit, shoqëruar edhe me muzikë të zgjedhur.

Ndërkohë, në mjediset e kompleksit “Marina Bay”, në qytetin e Vlorës, do të zhvillohet një tjetër event në formën e një spektakli, me gatime të rafinuara të kuzhinës së këtij rajoni.

Ndërkohë, mes aktiviteteve respektive në shkolla, përfshihet edhe ai që do të zhvillohet në shkollën 9 vjeçare të fshatit Babicë, ku, bashkë me nxënësit do të demonstrohet praktika e përgatitjes së pastave italiane në kushtet e shtëpisë.

Aktivitete të ngjashme do të zhvillohen edhe në qytetin e Beratit, si edhe në dy institucione arsimore në këtë qytet, ku do të përfshihen rreth 80 fëmijë të kategorive të ndryshme, mes të cilëve edhe ata me sindromën Down.

Zinxhiri i aktiviteteve në kuadrin e Javës së Tretë të Kuzhinës Italiane nëpër Botë, do të vijojë me një sesion për shijimin e llojeve të ndryshme të aperitivit italian, në mjediset e Bar ”Poema”, shoqëruar edhe me muzikë të kompozitorëve më të shquar italianë, ndërkohë që, në mjediset e Konsullatës së Italisë në Vlorë, do të zhvillohet edhe eventi përmbyllës që do të ketë si objekt dhe subjekt, pastat bolonjeze, aq të njohura dhe të preferuara edhe në Shqipëri.

“Zoti Andalini, një emër i njohur në këtë fushë në zonën e Emilia Romanja, ka gjetur edhe recetën origjinale të këtyre pastave, përmes një kërkimi të mirëfilltë shkencor historik dhe do ta prezantojë atë për të pranishmit në një mënyrë tepër origjinale, në mënyrë që të gjithë të ftuarit të kenë mundësi të shijojnë këtë gatim tipik”, shprehet Konsullja e Përgjithshme e Italisë në Vlorë.

Rajoni “Marche” në Itali, i përcaktuar nga ekonomisti Alan Friedman si një “Davos i vogël”, vjen kështu për qytetarët vlonjatë me elementët më tipikë të produkteve të veta të traditës. Në këtë rajon është krijuar edhe ajo që emërtohet “Tipicità”, që, prej gati 3 dekadash, përmes një forme organizimi të llojit të partneritetit publik-privat, ka krijuar përvoja të pasura të këtyre resurseve, duke i bërë ato të njohura në të gjithë Italinë e vende të tjera.

Këto aktivitete, pasojnë veprimtaritë e shumta të zhvilluara nga Konsullata e Përgjithshme e Italisë në Vlorë, të cilat në dy vitet e fundit janë intensifikuar dukshëm.

Vetëm gjatë këtij viti, janë organizuar më shumë se 30 aktivitete në fushën e kulturës, një pjesë në mbështetje dhe bashkëpunim me bashkinë Vlorë, në të cilat janë përfshirë qindra qytetarë. /k.s/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFoto/ Fëmijët mes argëtimit dhe eksplorimit në Parkun e Madh
Artikulli tjetërKomandanti i FSK-së në Forumin Ndërkombëtar në Halifax-Kanada