Durrës – 112 mijë kontejnerë të përpunuar në 10 muaj

TIRANË, 19 nëntor/ATSH/ – Gjatë periudhës janar-tetor të këtij viti në portin e Durrësit janë përpunuar 112.074 kontejnerë TEU (Njësi kontejnerike), ose 15 mijë kontejnerë më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit 2017.

Ndërsa, gjatë fundjavës së kaluar në Terminalin e kontejnerëve janë përpunuar njëra pas tjetrës tri anije të specializuara dhe një e katërt vazhdon të përpunohet në kalatën 6 të këtij Terminali.

Në Qendrën e Informacionit të Autoritetit Portual Durrës mësohet se nga anija “RS Mistral” ditën e premte u përpunuan 599 kontejnerë TEU gjithsej.

Një ditë më vonë u ankorua në kalatën 6 anija “Luebec” nga e cila u përpunuan 1265 kontejnerë TEU gjithsej. Ditën e dielë 279 kontejnerë TEU u ngarkuan në anijen “Xpres Shanon”, ndërsa sot vijon përpunimi i anijes MSC Claudia”.

Nga Qendra e Informacionit në APD, mësohet gjithashtu se gjatë ditës pritet të mbërrijë në radë edhe anija “Metkon Izmir”, e ngarkuar me kontejnerë. /k.s//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.