Ballina Bota

ABNA, Turqia presidencën, Greqia sekretariatin

STAMBOLL, 19 nëntor /ATSH/ – Aleanca e Agjencive Ballkanike të Lajmeve (ABNA-SE) zhvilloi në Stamboll, nga datat 16-18 nëntor, asamblenë e 27-të me temë “Paqja dhe stabiliteti në rajonin e Ballkanit.”

Drejtori i përgjithshëm i agjencisë turke të lajmeve, Anadolu Agency, Senol Kazançi tërhoqi vëmendjen për rëndësinë e ABNA-SE për shkak të rrjetit të komunikimit që këto agjenci kanë krijuar me njëra-tjetrën.

Ai theksoi se ”ABNA-SE u themelua për zhvillimin e bashkëpunimit ndërmjet agjencive të lajmeve në rajon dhe për të ndihmuar njëri-tjetrin në misionin e paqes, miqësisë dhe çështjet e sigurisë në rajon.

Gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme drejtoresha e Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Armela Krasniqi i kushtoi rëndësi funksionimit të një rrjeti të përbashkët të agjencive ballkanike të lajmeve.

Në një kohë kur ekzistojnë iniciativa të ndryshme portalesh ballkanike që raportojnë për rajonin në tërësi, Krasniqi theksoi se krijimi i një web-i të mirëfilltë e funksional të ABNA-s për Ballkanin do t’i mundësonte çdokujt një informacion të plotë dhe vërtetë për ngjarjet në këtë rajon. “Ne duhet të forcojmë rolin tonë nëpër lumin e shumë portaleve që konsiderohen ballkanike, disa prej të cilave shpesh dhe qëllimisht raportojnë lajme të pavërteta”, theksoi drejtoresha e përgjithshme e ATSH-së.

Asambleja mirëpriti sugjerimin e ATSH.

Në këtë konferencë u diskutua për bashkëpunimin mes agjencive të lajmeve, që u konsiderua element i rëndësishëm për bashkëjetesën paqësore në Ballkan.

Pjesëmarrësit ishin të mendimit se ABNA përfaqëson më shumë se një aleancë agjencish.

Në përfundim të asamblesë së ABNA-SE-së, Turqia mori nga agjencia greke e lajmeve, ANA-MPA presidencën e radhës të kësaj alenace, ndërsa Greqia sekretariatin e përgjithshëm.

Aleanca e Agjencive Ballkanike të Lajmeve ABNA-SE u krijua në vitin 1995 për të siguruar një bashkëpunim më të madh mes agjencive të lajmeve të rajonit.

Anëtarët e kësaj aleance janë AGERPRES (Rumani), ANA-MPA (Greqi), AA (Turqi), ATSH, BTA (Bullgari), CNA (Qipro), FENA (BH), HINA (kROACI), MIA (Maqedoni), KosovaPress (Kosovë) dhe TANJUG (Serbi) ndërsa vendet me statusin e vëzhguesit janë Moldavia, Sllovenia, Armenia dhe Mali i Zi./ a.jor

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBRUKSEL – BE mbështet projektmarrëveshjen për Brexit
Artikulli tjetërJAPONI – Arrestohet shefi i Renault-Nissan-Mitsubishi Motors