Ballina Lajme nga Vendi

Media promotore e pajtimit dhe bashkëpunimit rajonal

Presidenti Meta përshëndet “South East Europe Media Forum”

TIRANË, 15 nëntor /ATSH/- Presidenti i Republikës, Ilir Meta duke marrë fjalën sot në Konferencën Ndërkombëtare të Gazetarëve të Europës Juglindore “South East Europe Medi Forum”, vlerësoi rolin e medias si promotore e pajtimit dhe bashkëpunimit rajonal.

“Përzgjedhja e Tiranës, për të dytën herë, si vendtakim i këtij forumi, është një lajm i mirë, por edhe një rast i mirë për një bashkëbisedim të hapur e të drejtpërdrejtë”, tha Meta.

Ndërsa theksoi se, shkalla e lirisë së medias është tregues i drejtpërdrejtë i nivelit të demokracisë së një vendi, por edhe funksionimit të institucioneve demokratike.

“Është e domosdoshme që gazetarët profesionistë, e veçanërisht ata elitarë, të refuzojnë çdo përpjekje që synon të shkatërrojë gazetarinë serioze, për ta zëvendësuar atë me ‘Fake News’, gjendur rëndom në rrjet. Media shkon përtej një biznesi të thjeshtë, sepse mbart në të njëjtën kohë, jo vetëm barrën e informimit në shërbim të interesit publik, por edhe përgjegjësinë si një nga shtyllat e demokracisë”, – theksoi Presidenti.

Sipas tij, për këto arsye, media e lirë, e pavarur, e në shërbim të interesit më të lartë publik është një qëllim për të cilin duhet të përpiqemi dhe të bashkëpunojmë të gjithë.

Përgjegjësia e medias si promotore e pajtimit dhe bashkëpunimit rajonal, që shmang gjuhën inflamatore dhe të urrejtjes, që informon, por edhe edukon individët është shumë e madhe dhe tejet e rëndësishme.

“Mbulimi mediatik i ngjarjeve në rajon mund të ndihmojë apo minojë proceset e bashkëpunimit. Dhe kjo ndodh veçanërisht në kushtet kur teknologjia ka evoluar kaq shumë duke e bërë komunikimin gjithnjë edhe më personal. Ndaj unë ju inkurajoj, që duke qëndruar në rolin tuaj si gardianë të interesit publik, të vijoni të mbështesni me përgjegjësi proceset e domosdoshme të bashkëpunimit dhe bashkëjetesës rajonale, sipas modelit europian, në dobi të paqes, sigurisë dhe stabilitetit”, – deklaroi Meta.

Si President i vendit dua të theksoj se ne mbetemi konstantë në orientimin e politikës sonë të jashtme kah ndërtimit të urave të vërteta, më të forta, më të shpejta dhe më efikase të bashkëpunimit mes gjithë popujve të rajonit tonë, në funksion të integrimit të plotë europian dhe euroatlantik. Fqinjësia e mirë dhe bashkëpunimi i ngushtë, me fokus integrimin e plotë të rajonit në Bashkimin Europian, është e vetmja e ardhme që duhet t’ua lëmë trashëgim brezave më të rinj, tha në fund të fjalës së tij Presidenti Meta. /e.xh/e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakShqipëria kontributore e paqes në rajon dhe model për harmoninë fetare
Artikulli tjetër“Rezistenca ndaj antibiotikëve”, ISHP takim me specialistë të fushës