TIRANË, 12 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Forcat e Armatosura, përveç përmbushjes së misionit të tyre kushtetues, janë angazhuar po ashtu edhe në mbështetje të komunitetit.
Në një takim në bazë ajrore të Kuçovës ku u prezantua Buxheti i vitit 2019 për dikasterin e Mbrojtjes, Kryeministri Edi Rama nënvizoi këtë dimension të ri në punën e FA-së.
“FA-të po kryejnë një punë jashtëzakonisht të rëndësishme në funksion të parandalimit të përmbytjeve, konkretisht në zonën e Fierit, ku janë në një punë intensive me orë të zgjatura”, – tha Rama.
Kjo, sipas tij, “është vetëm një shfaqje e një tërësie punësh dhe e një objektivi të rëndësishëm të Ministrisë së Mbrojtjes për të kombinuar përmbushjen me sukses të misionin kushtetues të FA-së, me çuarjen përpara të punës për përmirësimin e infrastrukturës në zonat në risk dhe në mbështetje të komunitetit”.
Po ashtu, Rama nënvizoi se bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe në bashkëpunim me një organizatë shumë të suksesshme vullnetare, po punohet për rijetëzimit e planit të Qendrës së re Kombëtare të Emergjencave dhe Solidaritetit të njerëzve në nevojë.
Rama theksoi se kjo bëhet pasi Ministria e Mbrojtjes ka marrë edhe funksionin e plotë të drejtimit të Emergjencave Civile. /a.g/





















