GJERMANI – 12 kandidatë për CDU-në e Merkelit

BERLIN, 10 nëntor /ATSH-ANSA/ – Janë 12 kandidatët e regjistruar deri tani për postin e kryetarit të Partisë Kristiandemokrate gjermane, CDU, që do të rinovohet në kongresin e radhës të partisë, që do të zhvillohet më 7 dhjetor.

Megjithatë, janë vetëm tre prej tyre të cilët kanë mundësi konkrete për të zëvendësuar kancelaren Angela Merkel, e cila para disa ditësh bëri të ditur se hiqte dorë nga drejtimi i partisë, pas humbjes së zgjedhjeve në Hesen.

Bëhet fjalë për juristin Friedrich Merz, i cili do të rihyjë në politikë për rritjen e profilit konservator të kristiandemokratëve, për ministrin e Shëndetësisë, Jens Spahn dhe për sekretaren e përgjithshme të kësaj partie, Annegret Kramp-Karrenbauer, e konsideruar si e parapëlqyera e kancelares./ /os/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.