Ballina Lajme nga Vendi

Pastrohen kanalet kulluese në Velipojë

TIRANË, 5 nëntor/ATSH/ – Në njësinë administrative Velipojë po vijohet me pastrimin e kanaleve kulluese në kuadër të projektit “Pastrimi i Kanaleve Kulluese Bashkia Shkodër”.

Bashkia e Shkodrës bën të ditur se prej disa ditësh puna është përqendruar në fshatrat Reç, Ças dhe Gomsiqe.

“Përmes angazhimit të komunitetit më në nevojë për punë në shërbime publike, kemi përmirësuar shumë situatën, duke mundësuar pastrimin e kanaleve kulluese në Reç në një gjatësi 1000 ml. Po ashtu, edhe në Ças është ndërhyrë ku janë pastruar 300 ml kanale kulluese. Puna vazhdon edhe në Gomsiqe, ku deri tani janë pastruar nga bimësia, shkurret dhe ndotjet e sjella nga uji mbi 100 ml kanale kulluese”, thekson bashkia.

Sipas bashkisë, duke kryer një punë të lavdërueshme ata po japin një kontribut të rëndësishëm në impaktin për menaxhimin dhe minimizimin e pasojave në rast përmbytje.

11 kryefamiljarë të familjeve më në nevojë, të angazhuar në Velipojë do të vazhdojnë të jenë pjesë e kontributit në përmirësimin e infrastrukturës mbrojtëse nga përmbytjet dhe në pastrimin e kanaleve kulluese.

Bashkia Shkodër me mbështetjen e GIZ, përmes FSHZH, synon krijimin e një perspektive përmes punësimit dhe në të njëjtën kohë realizimin e punëve në dobi të komunitetit. /k.s/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakHaradinaj viziton kampin KFOR-it gjerman të kthyer në Park Inovativ dhe Trajnues
Artikulli tjetërFOTO/ Programi KIDS nisi me historinë e ”Dardhës Gjigante”