Ballina Kosova

Kosovë-Kuvendi sot seancë për dialogun me Serbinë

PRISHTINË, 31 tetor /ATSH/ – “Debati parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e ‘shkëmbimit të territoreve’ apo ‘korrigjimit të kufijve’ në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë”, është sot pika e vetme e axhendës së seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të kërkuar nga opozita me nënshkrime të 42 deputetëve.

Kryesia e Kuvendit në mbledhjen me kryetarët e grupeve parlamentare vlerësoi se, “kërkesa i plotëson kushtet formale”, ndërsa paralajmëroi se, “temë e debatit do të jetë: Angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e ‘shkëmbimit të territoreve’ apo ‘korrigjim të kufijve’ në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

Në seancën e sotme të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës të kërkuar nga opozita është paralajmëruar pjesëmarrje edhe nga maxhoranca dhe priten shumë debate e edhe një rezolutë.

Në Kuvendin e Kosovës, në fillimin e sesionit vjeshtor, as mazhoranca as opozita nuk i kishin numrat për kuorum në dy seancat e jashtëzakonshme të ftuara lidhur me dialogun me Serbinë, njëra me kërkesë të qeverisë e tjetra me kërkesë të opozitës. Mazhoranca dhe opozita bojkotonin njëra-tjetrën, ndërsa deputetët e Listës Serbe i bojkotonin të dyja.

Kuvendi i Kosovës nisi sesionin vjeshtor pasi ishin ftuar dy seanca të jashtëzakonshme për t’u mbajtur brenda ditës së martë të 4 shtatorit, ku rikthehej debati për dialogun Prishtinë-Beograd në Bruksel, me të cilin u përmbyll sesioni vjeshtor me një seancë të papërfunduar në 30 korrik.

Gjatë ditës së hënë të 3 shtatorit, seancat e jashtëzakonshme për ditën e nesërme – të martë u ftuan në dy mbledhje të  Kryesisë së Kuvendit me kryetarët e grupeve parlamentare, njëra e mbajtur pasdite pas një kërkese të javës paraprake nga opozita e tjetra në mbrëmje pas kërkesës së qeverisë  që u mbledh pasditen e po të hënës.

Jo sipas renditjes së kërkesave, fillimisht u ftua nga ora 09:00 të mbahet seanca e jashtëzakonshme me të vetmen pikë në axhendë: “Shqyrtimi i Propozimvendimit të qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e Ekipit Negociator për Normalizimin e Marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”.

Ndërsa, për në orën 10:00, ishte ftuar seanca e jashtëzakonshme po ashtu me vetëm një pikë në axhendë: “Debat parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e ‘shkëmbimit të territoreve’ apo ‘korrigjim të kufijve’ në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

Por, seanca e jashtëzakonshme e kërkuar nga qeveria vetëm nisi dhe pas disa shtyrjeve nuk përfundoi në mungesë kuorumi. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli paralajmëroi se seanca do të vazhdojë në momentin kur do të ketë numër të mjaftueshëm të deputetëve.

Pas kësaj, po ashtu, për shkak të mungesës së kuorumit, edhe pas shtyrjeve as nuk ka nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, e  kërkuar nga opozita.

Në seancën e 13 shtatorit me 40 pika në axhendë po që nuk përfundoi përsëri shkaku i mungesave të kuorumit, opozita, LDK e LVV,  duke u larguar nga salla plenare kanë paralajmëruar se nuk do marrin pjesë në seancat e Kuvendit derisa të mbahet seanca e jashtëzakonshme që e kanë kërkuar lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

Ndërkohë, në 20 shtator, Kuvendi i Kosovës u mbledh në një seancë të jashtëzakonshme, të kërkuar nga opozita, për të ratifikuar tre marrëveshje ndërkombëtar, për të cilat duhen dy të tretat e votave – të së paku 80 deputetëve të parlamentit 120 anëtarësh.

Edhe në 18 tetor opozita mori pjesë në seancën e Kuvendit dhe votoi unanimisht Pakon e tre projektligjeve drejt Ushtrisë së Kosovës, në shqyrtimin e parë.

Por, dy partitë më të mëdha opozitare LDK e LVV kanë vijuar mospjesëmarrjen në  seanca të tjera të rregullta, derisa kërkojnë edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare. /b.j//e.malaj/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – Shi, dëborë dhe erëra të forta godasin Europën, 12 të vdekur në Itali
Artikulli tjetërAFGANISTAN – Zyrtarë të lartë mes 18 viktimave të një aksidenti ajror