TIRANË, 29 tetor /ATSH/ – Organizata e Kombeve të Bashkuara vlerësoi sot 5 të rinj të sukseshëm, të cilët ia kanë dalë mbanë të kthehen në modele të suksesshme.
“Të rinjtë janë potenciali i rëndësishëm për ndërtimin e modelit të paqes dhe bashkëpunimit dhe sot është pikërisht koha e tyre”, deklaroi sot ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati në fjalën e tij në kuadër të festimit të Ditës së Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, në ambientet e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, ku u zhvillua aktiviteti me temë “Honoring youth: It’s Youth Time”.
Sipas tij, puna me rininë është investimi më i mirë dhe më i sigurt për të garantuar të ardhmen.
“Shqipëria beson fort në rolin e brezit të ri për ndërtimin dhe qëndrueshmërinë e paqes për axhendën 2030”, tha Bushati.
Bushati theksoi se, “këta të rinj janë shndërruar në shembuj për t’u ndjekur falë iniciativave dhe angazhimt të tyre. Shqipëria ka një vizion komplimentar në kuadër të platformave me fokus rininë, të drejtat e njeriut dhe sigurinë”.
Kësisoj, shtoi ai, “nxitja dhe përfshirja e rinisë në agjendën e sigurisë dhe paqes është një ndër përparësitë tona, për të administruar kontributin e tyre të rëndësishëm në zhvillimin politik, ekonomik dhe shoqëror në gjithë hapësirën euro-atlantike.
Ky aktivitet organizohet nën kujdesin e veçantë të ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati dhe koordinatorit të përhershëm të OKB-së në Shqipëri, Brian Williams.
/gj.mima/j.p/



























