Ballina Ekonomi

Fondet e IPARD, rritje në standardet e prodhimit bujqësor

TIRANË, 26 tetor /ATSH/ – U çel sot Programi Bujqësor dhe Rural, IPARD 2, bashkëfinancim i BE dhe qeverisë shqiptare, me vlerë të përgjithshme 94 milionë euro. Programi është një mbështetje për investime në bujqësi, agropërpunim dhe zhvillimin rural. Kryeministri Edi Rama njoftoi nisjen e programit në një takim të posaçëm me sipërmarrës në fushën e agroturizmit, si dhe fermerë, në zonën e Shkallnurit, në Durrës.

Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca i dorëzoi dokumentin zyrtar Kryeministrit Edi Rama në prani të ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Niko Peleshi. Me një eksperiencë të suksesshme në vende të tjera të rajonit, Programi synon të mbështesë fermerët, shoqëritë e bashkimit bujqësor, stabilimentet e përpunimit ushqimor, mikrosipërmarrjet dhe sipërmarrjet e vogla private, për të rritur kapacitet, standardet, shumëfishuar prodhimin dhe transformuar e modernizuar mjedisin bujqësor.

Hapja e thirrjes së parë për aplikime parashikohet në datën 30 nëntor 2018, me kohëzgjatje për aplikim 60 ditë.  ​

“Për Ministrinë e Bujqësisë sapo ka filluar puna pasi Bashkimi Europian dhe qeveria Shqiptare kanë vënë në dispozicion 94 milionë euro fonde për të mbështetur bujqësinë”, theksoi ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi, në takimin me fermerët në Shkallnur të Durrësit,  për të prezantuar programin e IPARD-it. Ky program parashikon 94 milionë euro investimeve në bujqësi, agropërpunim dhe zhvillim rural.

Ministri tha se kjo shifër nuk lë më vend për justifikime.

Në startin e programit IPARD për këtë vit, ministri veçoi dy prioritete që duhen  përmbushur, formalizim të sektorit bujqësor, dhe rritje të standardeve e respektimin e ligjeve në Shqipëri dhe BE.

Peleshi tha se vetëm nëpërmjet formalizimit dhe respektimit në mënyre rigoroze të standardeve ka rrugë përpara, dhe këto fonde mund të rrisin vërtet prodhimet në bujqësi dhe eksportet.

“Këto vite na kanë mësuar se në një periudhë afatgjatë, respektimi i ligjeve dhe standardeve na çon larg. Arritja e standardit të hap dyert për të përfituar nga IPARD dhe dyert e tregjeve të mëdha”.

“Jemi ende larg çmimit të domates në BE. Sepse standardet nuk janë ende në nivelin e duhur, por nga viti në vit po rriten, po rritet çmimi dhe po rriten fitimet për fermerët dhe ekonominë”, tha Peleshi.

Ministri i Bujqësisë parashtroi edhe një të dhënë statistikore, e cila pasqyron rritjen e eksporteve të prodhimeve bujqësore me 55%, nga shtatori i viti 2017, në shtatorin e 2018. /o.l/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMbi 300 milionë dollarë eksporte të produkteve bujqësore shqiptare
Artikulli tjetërAsnjë produkt shqiptar i kthyer mbrapsht në dogana