Rikthehet shfaqja ”Terror” në ”arTurbina”

TIRANË,23 tetor /ATSH/ – Shfaqja ”Terror” me regji nga Gëzim Kame dhe me një kast të mrekullueshëm aktorësh, rikthehet në skenën e re ”arTurbina”, pas suksesit dhe duartrokitjeve të publikut.

Një shfaqje mbi krizën e drejtësisë në kontekstin e sotëm përballë terrorizmit, vjen përsëri për publikun artdashës kryeqytetas në datat 25-26-27-28 tetor, ora 20:00.

Ajo vjen për artdashësit nën interpretimin e aktorëve Viktor Zhusti, Lulzim Zeqja, Eva Alikaj, Yllka Mujo, Astrit Hasani.

Tema e dramës është një nga temat më përvëluese të kohës: terrorizmin në rritje dhe shkatërrimi i një pjese të mirë të funksionimit të sistemit gjyqësor. Është një dramë që më shumë se çdo vepër tjetër skenike, kërkon aleancën e përfytyrimeve të gjalla të shikuesve për një ngjarje rrënqethëse me përmasa të mëdha që zhvillohet në qiell, në shtabet e Natos, sallat e kontrollit të hapësirës ajrore, në Ministrinë e Mbrojtjes.

Subjekti flet për një pilot luftarak në mbrojtje të hapësirës ajrore që ndjek një avion pasagjerësh, i cili është marrë peng nga një terrorist dhe kërkon të godasë një stadium të mbushur plot me njerëz. Piloti urdhërohet të godasë stadiumin, por ai bën një zgjidhje tjetër individuale duke thyer urdhrin e marrë. /a.a/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.