TIRANË, 19 tetor/ATSH/- Pacientët e vegjël në shërbimin e Onkohematologjisë Pediatrike u vizituan sot nga bashkëshortja e ministrit të Jashtëm të Republikës së Turqisë, Hulia Çavushoglu e shoqëruar edhe nga bashkëshortja e ministrit shqiptar për Europën dhe Punët e Jashtme, Aida Bushati.
Gjatë vizitës në spital, Çavushoglu dhe Bushati u pritën nga stafi mjekësor i këtij shërbimi, mjekë, infermierë, punonjësit e sektorit psikosocial, fëmijë të hospitalizuar dhe prindër të tyre.
Çavushoglu dhe Ambasada e Republikës së Turqisë në Tiranë, kanë dhuruar pajisje të ndryshme elektronike si kompjutera, iPad, bazë materiale për vizatime dhe argëtime të fëmijëve që kurohen në këtë pavion, gjatë kohës së lirë.
Shefja e këtij shërbimi, prof. Anila Godo pasi falënderoi zonjat Çavushoglu dhe Bushati për kontributin e tyre, vlerësoi dhuratat e sjella në pavion, pasi terapia e artit dhe e lojës janë të domosdoshme për këta fëmijë.
“Fëmijët qëndrojnë për periudha të gjata në pavionin tonë, pasi vetë diagnozat e tyre kërkojnë një kohë të gjatë për tu kuruar dhe ata kanë nevojë të jenë të aktivizuar për të përmirësuar gjendjen e tyre emocionale”, u shpreh prof. Godo.
Çavushoglu u shpreh se “ne do të jemi gjithnjë të interesuar dhe në gatishmëri për të ndihmuar fëmijët që kurohen në këtë pavion, duke mbajtur kontakte të rregullta me Bushatin dhe me mjekët e pavionit”.
Nëpërmjet iPad-ëve të dhuruar pacientët e vegjël me ndihmën e punonjësve të stafit psikosocial të shërbimit të Onkohematologjisë, përveç argëtimit mund të ndjekin edhe programet shkollore gjatë ditëve që qëndrojnë të shtruar në spital. /k.s//e.caushi/





























