
BRUKSEL, 18 tetor /ATSH – Udhëheqësit e BE-së shprehën mbështetjen e tyre për rritjen e bashkëpunimit me Afrikën e Veriut dhe luftën kundër rrjeteve të trafikimit të qënieve njerëzore në përpjekje për të zbutur përçarjet e tejzgjatura lidhur me debatin e valës migratore që ka përfshirë bllokun.
Por përçarjet u rishfaqën sërish në përpjekje për të gjetur një qasje të përbashkët mbi çështjen e shumë debatuar të shpërndarjes së emigrantëve në ditën e dytë të samitit të udhëheqësve të BE-së në Bruksel.
Kancelari austriak, Sebastian Kurz propozoi një strategji më fleksibël për të ndihmuar Bashkimin Europian në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mbi rishpërndarjen e emigrantëve dhe azilkërkuesve.
Në vend që të vazhdojmë me përpjekjen e pasuksesshme për kuotat e detyrueshme të shpërndarjes së azilkërkuesve anembanë BE-së, shtetet anëtare duhet të ndërmarrin qasje të veçanta për të shprehur “solidaritetin” me partnerët e BE-së, tha Kurz pak para takimit.
“Kjo do të thotë se secili shtet duhet të japë një kontribut brenda mundësive,” shtoi ai, duke nënkuptuar që disa shtete anëtare mund të kompensojnë me kontribute financiare.
Por kancelarja gjermane, Angela Merkel tha se një propozim i tillë nuk do të “zgjidhte problemin e shpërndarjes së barabartë dhe është “pak më i lehtë”.
“Kjo nuk është një përgjigje e vërtetë euvropiane,” tha Merkel, vendi i së cilës pranoi më shumë se një milion azilkërkues në vitin 2015.
Austria, e cila mban presidencën e rradhës të BE-së, është e interesuar të zgjidhë çështjen delikatë të emigrantëve gjatë mandatit të saj i cili mbaron në dhjetor./sm/