TIRANË, 17 tetor /ATSH/ – “Qeveria ka ndërmarrë disa reforma në 5 vitet e fundit në lidhje me problemet e mirëqenies”, – deklaroi sot Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi gjatë fjalës së tij në tryezën e punës, në kuadër të Ditës Botërore kundër varfërisë.
Ruçi tha se është ulur informaliteti dhe se duhet të bëhet më shumë që varfëria të ulet përmes zhvillimit dhe shfrytëzimit të pasurisë kombëtare.
“Të reflektojmë dhe të rrisim mbështetjen e Kuvendit për përmirësimin e legjislacionit për këto fusha. Qeveria ka ndërmarrë disa reforma në 5 vitet e fundit në lidhje me problemet e mirëqenies. 200 mijë kontribues janë shtuar në skemën e pensionit, duke luftuar informalitetin. Është e nevojshme që të punojmë që varfëria të ulet përmes zhvillimit dhe shfrytëzimit të pasurisë kombëtare”, – tha Ruçi.
“Problemi i vendit tonë nuk janë të pasurit siç interpretohet, por problemi për ne janë të varfrit. Ne nuk synojmë të pakësojmë numrin e të pasurve, por të pakësojmë numrin e të varfërve. Duhet më shumë mbështetje për fermerët të cilët duhet të paguajnë edhe kontributet. 400 mijë fermerë janë futur në skemën e pensionit. Të shfrytëzohen më mirë mundësitë në fshat”, – u shpreh kreu i Kuvendit.
Të pranishëm në takim ishin përfaqësues të qeverisë, drejtues të komisioneve parlamentare dhe deputetë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile, si edhe ekspertë të çështjeve të zhvillimit ekonomik e shoqëror dhe politikave publike.
/gj.mima//j.p/











