Ballina Lajme nga Vendi

Foto/ Investime për evitimin e përmbytjeve të tokave bujqësore

TIRANË, 10 tetor/ATSH/ Përmbytjet apo gërryerja e tokave bujqësore në shumicën e rasteve ka ardhur si pasojë e mungesës së investimit në prita dhe në shkatërrimin e atyre ekzistuese.

Në Bashkinë e Librazhdit, por edhe në atë të Elbasanit në tre vitet e fundit është investuar në ndërtimin e pritave për të shpëtuar tokat bujqësore.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla inspektoi sot nga afër ndërtimin e disa pritave mbrojtëse në Lumin Shkumbin.

Ndërtimi i këtyre pritave synon të mbrojë tokat bujqësore nga vërshimi i lumit, por gërryerja vit pas viti ka çuar në rrezikimin edhe të banesave.

“Në mëngjes në Gjykatë për t’i vënë frerë e “pritë” ligjore gojës së shthurur të Lulzim Bashës, por më pas menjëherë vëmendja tek hallet e njerëzve, sepse Lul Nuli s’ka punë tjetër është i akuzuar sipas nenit 120 të Kodit Penal”, u shpreh Balla.

Së bashku me Kryetarin e Bashkisë së Librazhdit, Kastriot Gurra, ai takoi edhe banorë të zonës, të cilët kishin vite që prisnin një zgjidhje të këtij problemi. Një investim i tillë ishte i domosdoshëm dhe kërkesë e kahershme e fermerëve.

“Gjatë tre viteve të drejtimit të Bashkisë së Librazhdit nga Kastrioti, forcimi i pritave të lumenjve ka qenë një prej objektivave kryesorë. Një situatë e ngjashme për të cilën po punohet është edhe ajo në fshatin Polis. Të tilla investime garantojnë sigurinë e tokës bujqësore, por edhe të banesave”, u shpreh Balla.

Vëmendja jonë, tha ai, “është për njerëzit, ndaj jemi të angazhuar që në çdo problem dhe në çdo ankesë të tyre të bëjmë çdo gjë është e mundur”. “Por ky është vetëm fillimi, në Hotolisht jemi duke investuar edhe në një shkollë model”, tha ai. /j.p/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSOFT NEWS – Parisit i mbarojnë vendet në… varreza!
Artikulli tjetërFOTO/ Kantieret e Kulturës, specialistët inspektojnë katedralen e Shën Nikollit