TIRANË, 10 Tetor /ATSH-Gjergji Mima/ -Reformat në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ishin në qendër të diskutimit në takimin e sotëm mes Kryeministrit Rama dhe Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit në BE, Christian Danielsson.
“I lumtur që rikthehem në Tiranë . Këtë mëngjes pata një diskutim të mirë me kryeministrin Edi Rama në lidhje me vijimësinë e reformave duke përfshirë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri dhe rëndësinë e bashkëpunimit të fortë rajonal”, u shpreh Danielsson pas takimit.
Danielsson do të marrë pjesë sot në ora 14:00 në seminarin me titull: “Impakti i negociatave të anëtarësimit në punën e autoriteteve dhe ministrive relevante në një vend negociues- Mësime të nxjerra nga Republika e Kroacisë”, që mbahet në ambientet e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme.
Seminari organizohet dhe financohet nga Instrumenti për Asistencë Teknike dhe Shkëmbim Informacioni (TAIEX) i Komisionit Evropian, në bashkëpunim me MEPJ.
Qëllimi i tij është evidentimi i një sërë mësimesh të nxjerra për organizimin e brendshëm ndërministror, bazuar nga përvoja e Kroacisë, si vendi i fundit që negocioi me sukses pranimin në BE.
Seminari do të hapet me fjalën përshëndetëse të Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati dhe NEAR – DG, Christian Danielsson.
Ky aktivitet do të paraprihet nga një takim i Ministrit Bushati me Danielsson, në orën 13.45. /a.g/























