Rilindja urbane transformon Pukën

TIRANË, 6 tetor/ATSH/- Investimi madhor për rivitalizimin e shëtitores së qytetit të Pukës po shkon drejt përfundimit teksa fillimi i nëntorit duket se do e gjejë Pukën me një pamje tjetër.
Investimi prej dy miliard e dyqind milionë lekë përfshin rivitalizimin e sheshit “Tërbuni” atë pranë urgjencës dhe Hotel Turizmit, ndriçimin dhe shëtitoren në mesin e dy shesheve.
Po kështu është bërë i mundur dhe rikonstruksioni me sistem kapot i fasadave të ndërtesave që përfshin zonën e rivitalizuar.
Pukjanët si “qershia mbi tortë” e këtij investimi konsiderojnë rivitalizimin e liqenit, ndërtimim e shëtitores rreth tij dhe rikthimin në funksion të qytetarëve dhe të parkut të gjelbër të qytetit.
Investimi madhor i bashkangjitet rivitalizimit të pallateve dhe godinave të tjera në qytetin e Pukes të karakterizuara nga çatitë e amortizuara dhe suvatimet e shkatërruara.
Bashkia e Pukës gjatë këtyre tre viteve ka përfituar mbi pesë milionë euro investime, të cilat kanë ndikuar që qyteti verior të shkëputej nga zymtësia që e karakterizonte si pasojë e godinave të rrënuara dhe infrastrukturës së degraduar.
Puka e ndodhur në qendër të Shqipërisë veriore ofron një mjedis ku ndërthuren malet me luginat e thella, lëndina e livadhe që ndërpriten nga lumenj e përrenj të shumtë, kroje me ujë të kulluar ushqyer nga dëbora e shumtë që shpesh zbardh deri në verë. Ky mozaik i mjedisit natyror e njerëzor të Pukës përbën një ofertë turistike të veçantë për shëtitje, ski, alpinizëm. /k.s/ /a.g/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.