Ballina Lajme nga Vendi

28 Vlora me simbolin e shqiponjës në “Sheshin e Flamurit”

TIRANË, 6 tetor/ATSH/ Vizita e një grupi vajzash dhe grash nga Kosova në Vlorë, ndoshta nuk do të përbënte lajm, por interesant është fakti se të gjitha ato mbajnë emrin Vlora, njëlloj si qyteti bregdetar prej të cilit kanë marrë emrin.

Në një foto të publikuar nga Kryeministri Edi Rama shihen vajzat dhe gratë nga Kosova, duke bërë simbolin e shqiponjës në “Sheshin e Flamurit” në Vlorë.

“E dini çfarë kanë të përbashkët vajzat e gratë në këtë foto që sapo më erdhi nga Vlora?
Quhen të gjitha Vlora dhe janë vizitore nga Kosova”, tha Rama.

Vizita dyditore në Vlorë e 28 shtetaseve kosovare që mbajnë emrin e këtij qyteti, është ndër aktivitet e para që ka organizuar Ambasada e Shqipërisë në Kosovë për nder të Festës së Flamurit.

Në qëndrimin e tyre në Vlorë 28 vajzat vizituan edhe Muzeun e Pavarësisë, si dhe kalanë e Kaninës, jo vetëm për të vizituar kalanë, por edhe për të shijuar peizazhin e emrit që mbajnë.

Udhëtimi është vazhdimësi e 40 Sarandave që vizituan Sarandën, ndërsa bëhet e ditur se edhe në të ardhmen do të realizohen udhëtime të tilla./m.m//e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGJERMANI – Merkel: Europa duhet të zhvillojë strategji të përbashkëta
Artikulli tjetërBashkia dhe Policia e Shtetit, plan masash për organizimin e maratonës