TIRANË, 5 tetor/ATSH-Maela Marini/ “Përballimi i sfidave bashkëkohore për sigurinë dhe forcimin e shtetit ligjor, kërkon veprim të përbashkët dhe të mirëkordinuar si një qasje rajonale”.
Kështu deklaroi sot ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në përfundim të punimeve të ministerialit të Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor për Çështjet e Brendshme të Drejtësisë, i cili u zhvillua në Tiranë.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun austriak, Herbert Kickl dhe Komisionerin e BE-së, Dimitris Avramopoulos, ministri Xhafaj vlerësoi fillimisht organizimin e këtij ministeriali të rëndësishëm në Tiranë.
Besoj fort, tha ai, se ky takim do të shënojë një hap të ri në bashkëpunimin mes nesh dhe përballimin e sfidave të rëndësishme.
Duke vlerësuar marrëveshjet e nënshkruara sot, Xhafaj tha se “ato janë konkretizim i qartë i vullnetit të vendeve të Ballkanit Perëndimor për të ecur para në drejtim të integrimit europian.
Drejtësia dhe siguria janë themelore për paqen e stabilitetin në rajon, shtoi Xhafaj.
Kryefjala e këtij ministeriali, sipas Ministrit të Brendshëm, është bashkëpunimi mes agjencive tona ligjzbatuese në këto fusha të rëndësishme.
Xhafaj ritheksoi po ashtu ftesën për ngritjen në Tiranë të Qendrës Rajonale për Bashkëpunimin Policor, për koordinimin e vendeve për përballimin e flukseve migratore, por edhe për çështje të tjera si trafiqet e paligjshme etj.
Xhafaj vlerësoi praninë në këtë ministerial të ministrave të rajonit, si dhe shprehu vlerësimet e veçanta ndaj presidencës austriake të BE-së.
“Mirënjohje ndaj qeverisë mike të Austrisë dhe personalisht Ministrit të Brendshëm austriak për mbështetjen pa kushte të vendit tonë në procesin e integrimit europian”, tha Xhafaj.
Ai vlerësoi po ashtu komisionerin Avramopoulos, si mbështetës i veçantë i vendeve të rajonit dhe një avokat i madh i Shqipërisë në Bruksel. “Jemi me fat që kemi miq të tillë në rrugëtimin tonë europian”, tha ai. /j.p/

























