TIRANË, 4 tetor/ATSH/ – Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi në mbledhjen e djeshme lejen e ndërtimit të linjës hekurudhore Durrës-Tiranë dhe linjës hekurudhore për në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas, me subjekt zhvillues Hekurudhën Shqiptare.
Në muajin shkurt të këtij viti qeveria shqiptare miratoi marrëveshjen e grantit me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për financimin e projektit të rehabilitimit të linjës hekurudhore Tiranë-Rinas-Durrës.
Fondi për projektin e hekurudhës Tiranë-Durrës është gati (90.45 milionë euro, plus 6 milionë vlerë e TVSH-së), nga të cilat BERZH hua 36.87 mln euro, BE grant 35.45 mln euro, qeveria shqiptare 16 mln euro.
Më herët zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Artan Shkreli ka bërë të ditur se “kjo hekurudhë do të ketë edhe një degëzim të ri, që nuk ka ekzistuar më parë. Tek Qafa e Kasharit do të krijohet një degëzim, që do të kalojë në Rinas, do të lidhë Tiranën me Rinasin dhe natyrisht edhe Durrësin me Rinasin, në një kohë të shkurtër, prej 13-14 minuta”.
Sipas tij, në qershor të 2021 do të fillojë funksionimi i hekurudhës së re shqiptare./k.s/























