TIRANË, 1 tetor/ATSH/- Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë në kuadër të evidentimit dhe goditjes të paligjshmërisë kanë proceduar penalisht 267 shtetas.
Sipas njoftimit për shtyp të policisë nga këta janë 84 shtetas të arrestuar për vepra të ndryshme penale, 162 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 21 shtetas të shpallur në kërkim.
Nga Seksioni për Hetimin e Korrupsionit është zhvilluar operacioni policor i koduar “Targa e bukur”, gjatë të cilit u vunë në pranga specialisti i Regjistrimit në Drejtorinë e Transportit Rrugor dhe sekseri.
Policia ka vijuar kontrollet për rritjen e parametrave të sigurisë gjatë të cilave u sekuestruan doza lënde narkotike, armë zjarri si dhe u arrestuan në flagrancë 2 shtetas dhe 2 të tjerë u proceduan në gjendje të lirë për “Armëmbajtje pa leje” dhe “Prodhim dhe shitje lëndësh narkotike”.
Nga Komisariati i Policisë Vorë është zbardhur një rast vjedhjeje në mjet, ku u arrestuan 2 autorët e identifikuar dhe u dokumentuan me prova ligjore 2 raste të tjera vjedhjesh.
Ka vijuar monitorimi i rrugëve urbane dhe interurbane me Radar me qëllim mbajtjen në kontroll të shpejtësisë dhe rritjen e parametrave të sigurisë në rrugë ku gjatë kontrolleve të ushtruara janë proceduar penalisht 48 shtetas, nga këta: 19 shtetas të proceduar për “Shkelje të rregullave të qarkullimit Rrugor”, 25 shtetas të proceduar për “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”, 4 shtetas të proceduar për “Largim nga vendi i aksidentit”.
Kanë vijuar takimet sensibilizuese me komunitetin kundër kultivimit të lëndëve narkotike, si dhe ka vijuar kontrolli i territorit.
Janë plotësuar 33 Kërkesë Padi për Urdhërmbrojtje të Menjëhershëm.
Janë kryer takime dhe mbledhje me shefat e komisariateve të kryeqytetit, për caktimin e porosive dhe prioriteteve në drejtim të evidentimit dhe goditjes të paligjshmërisë./k.s/j.p/




























