Bushati fton opozitën të bëhet pjesë e luftës kundër krimit

TIRANË, 1 tetor/ATSH/ Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati inkurajoi sot institucionet e shtetit të së drejtës në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe ftoi opozitën të bëhet pjesë e procesit.

Ministri Bushati, njëkohësisht dhe i deleguari politik për qarkun e Shkodrës, iu përgjigj interesit të gazetarëve për aktualitetin politik.

“Situata politike natyrisht e bazuar mbi trillim edhe shpifje, duke përfshirë dhe Shkodrën nuk është një atmosferë që mund të krijojë terrenin e përshtatshëm për të ecur më shpejt në procesin e integrimit europian. Reformat janë më tepër kërkesë e vetë qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi, se sa e komunitetit ndërkombëtar”, – tha Bushati.

Detyrat tona janë të qarta, tha ministri, duke nënvizuar luftën pa kompromis ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Duhet të vazhdojmë me shpejtësi procesin kirurgjikal që ka nisur në Pallatin e Drejtësisë, dhe kësisoj këto reforma do të krijojnë dhe një impakt pozitiv për sa i përket dhe ecurisë së vendit në procesin e integrimit europian”, – nënvizoi ministri Bushati.

Duke iu referuar zhvillimeve të fundit në Shkodër në lidhje me rendin dhe sigurinë si dhe akuzave të opozitës, Ministri Bushati tha se, “duhet të tregohemi të gjithë të duruar me opozitën që ka humbur besimin te vota dhe te koncepti alternativ ndaj qeverisë”.

“Për sa kohë e ka humbur këtë besim nuk është se do të presim ditë më të mira në këtë drejtim. Thjesht shpreh keqardhjen time më të madhe për nivelin e debatit për shpifjet që tentojnë të helmojnë hapësirën publike”, – tha Bushati. /m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.