Ballina Lajme nga Vendi

Shkodër, panair me produkte bujqësore e blegtorale në Rrethina

TIRANË,28 shtator /ATSH- I. Vata/ – Bashkia Shkodër në Njësinë Administrative Rrethina ka çelur panairin me produkte bujqësore dhe blegtorale me qëllim promovimin e vlerave të kësaj krahine.

Në panair morën pjesë dhjetëra fermerë, artizanë, organizata por edhe krijues letrar shpalosën vlerat e gjithanëshme të kësaj njësie përbërëse të bashkisë së madhe të Shkodrës.

Në fjalën e saj, kryetarja e bashkisë së Shkodrës, Ademi është ndalur në rëndësinë e kësaj nisme, e cila synon promovimin e vlerave dhe resurseve të trashëgimisë kulturore, natyrore dhe produkteve të territorit.

“Ky panair promovon vlerat e territorit në njësinë administrative, Rrethina”, tha ajo.

Kryetarja e bashkisë Shkodër, Ademi ka folur edhe për problemin e furnizimit me ujë të pijshëm, i cili menjëherë, nga dita e sotme ka nisur të shpërndahet në ato zona ku mungon, përmes autobotëve të Ujësjellësit Shkodër.

Po ashtu, kryetarja Ademi është ndalur edhe në investimet tashmë të përfunduara, ato në proces dhe të tjera që planifikohen për vitin 2019 në këtë territor.

“Në fund të këtij viti mbaron financimi për projektin e furnizimit me ujë dhe në tremujorin e parë të viti 2019, do të furnizohen me ujë pesë fshatra”, tha Ademi.

Në vijim, një program artistik nga artistët e zonës dhe në fund vizita në stendat e panairit, ku nuk munguan as gatimet tradicionale të zonës, që u shijuan nga të pranishmit. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOTO/ “Muzeu lëvizës” udhëtoi pranë nxënësve në Baldushk
Artikulli tjetërShqipëria, tregu i së ardhmes: Gara e sipërmarrjeve në vendin e inovacionit