TIRANË, 28 shtator /ATSH/ – Në “Allianz Stadium” të Torinos do të luhet nesër në orën 18:00 supersfida “Juventus” – “Napoli”.
Trajneri i napoletanëve, Carlo Ancelotti në konferencën për shtyp para ndeshjes ndaj Juves theksoi se nuk firmos për barazimin.
“Kurrë në jetën time nuk kam firmosur për një barazim, edhe pse në ndeshje të caktuara ndodhin gjëra të paparashikuara që në fund pastaj mund të kënaqesh edhe me 1 pikë, megjithatë unë nuk firmos për barazim. Duhet të ruajmë ritmin e sfidave të fundit pasi ky është Napoli që unë dua. Gjithsesi është e qartë që në këtë ndeshje do të ketë më shumë presion”, deklaroi Carlo Ancelotti.
Trajneri i Napoli tha fjalë “mjalti” për Cristiano Ronaldon të cilin e ka patur nën urdhrat e tij kur drejtonte Realin e Madridit: CR7-ës do t’i jepja gjithmonë Topin e Artë , pasi e meriton”.
Ndërsa trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri foli me superlativa për trajnerin e Napolit, Carlo Ancelotti në konferencën për shtyp në vigjilie të supersfidës së të shtunës në Serie A me Juventusit dhe Napolit, që vlen një copëz titulli.
Allegri theksoi se, tashmë Napoli ka në drejtim trajnerin më fitues të mundshëm, ndërsa në lidhje me Cristiano Ronaldon që nuk po shënon në vazhdimësi, Allegri shtoi se portugezi duhet të shërbehet më shumë nga shokët e skuadrës. Përsa i përket formacionit që do të zbresë në fushë ndaj të kaltërve të shtunën në Allianz Stadium, Allegri zbuloi 7 titullarë dhe ata janë: Sczezny, Bonucci, Chiellini, Alex Sandro, Pjanic, Matuidi dhe Cristiano Ronaldo.
/gj.m/j.p/

















