TIRANË, 28 shtator/ATSH/- Flakët e zjarrit që përfshinë dje fshatin Lumëbardh, njësia Administrative Qafë-Mali, në Fushë-Arrëz kanë prekur sot edhe zonën e Tuçit, duke rrezikuar edhe disa shtëpi në atë fshat.
Bashkia e Fushë-Arrëzit bën të ditur se “mbi njëqind e pesëdhjetë hektarë mal është ndikuar nga zjarri i rënë ditën e djeshme. Megjithëse gatishmëria e punonjësve të sektorëve të ndryshëm të bashkisë ka qenë prezente, pengesa e shpërndarjes së zjarrit është e pamenaxhueshme, duke përparuar në zonën e Tuçit dhe duke rrezikuar disa shtëpi në atë fshat”.
Sipas bashkisë janë lajmëruar të gjithë instancat e qeverisjes që nga Prefektura, deri në Kryeministri për gjendjen e jashtëzakonshme.
Bashkia falënderon të gjithë punonjësit e bashkisë (gjithë drejtoritë dhe sektorët) për punën e palodhur në përpjekje për menaxhimin e situatës. /k.s/r.e/


























