TIRANË, 27 shtator/ATSH/- Moduli “Shoqëria shqiptare drejt integrimit të plotë në familjen europiane”, që ka për qëllim kryesor t’u mundësojë studentëve dhe studiuesve të rinj të njohin më tej dhe të përqafojnë europianizmin, u zgjodh fitues nga programi “Erasmus +”, Jean Monnet 2018.
Ky modul, që u propozua nga lektorët dr. Juliana Gjinko, dr. Meljana Bregu, dr. Andi Pinari, prof. ass. dr. Mirela Bogdani, do të zbatohet duke filluar nga semestri i dytë 2019, nga Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë të Universitetit të Tiranës dhe do të hapet për studentët e Kurseve Master në: Marrëdhënie Ndërkombëtare (Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës) dhe studimet rajonale (Fakulteti i Shkencave Sociale), bën të ditur Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, pranë Universitetit të Tiranës.
Moduli do të përfshijë 300 studentë përgjatë tre viteve. Ky propozim nxit zhvillimin e jë kursi multidisiplinar (Integrimi Shqiptar dhe Institucionet e BE-së).
Moduli do të ndahet në katër pjesë (histori, ligj, shkenca politike dhe ekonomi) dhe secila prej tyre do të përfshijë gjithashtu 3 seminare dhe tri shkolla verore ku do të trajtohen sfidat aktuale me të cilat ballafaqohet BE-ja dhe Shqipëria si nëj shtet dhe shoqëri që dëshiron t’i bashkohet Komunitetit.
Për të pasur një ndikim sa më të madh në bashkëpunim me përfaqësues nga Ministria e Europës dhe Punëve të Jashtme, media dhe segmente të ndryshme të shoqërisë do të organizohet një konferencë (Demokracia Shqiptare, Reformat dhe Aspirimi drejt BE-së) për të shpërndarë gjetjet dhe rezultatet e Modulit në fushën e studimeve të BE-së dhe proceset të integrimit shqiptar.
Objektivat specifike të këtij moduli janë : Të pajisë studentët me mjete dhe njohuri multidisiplinare për të analizuar marrëdhëniet midis teorisë dhe praktikës në lidhje me procesin e integrimit; të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e kurrikulës së kursit Master në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë duke ofruar një program studimor që drejtpërdrejt trajton temën e zgjerimit dhe integrimit të BE-së.
Gjithashtu ky modul do t’u ofrojë studentëve të kursit njohuri në studimet bashkëkohore të BE-së në fushat e historisë, ligjit, shkencave politike dhe ekonomisë; të inkurajohen studentët, përfaqësuesit institucionale, mediat dhe kërkuesit për të sjellë pikëpamjet e tyre dhe për t’u angazhuar në debatin aktual mbi problemet kulturore, politike dhe ekonomike me të cilat Shqipëria po përballet në rrugën e integrimit.
Po ashtu ky modul ka si objektiv të sigurojë një kuptim më të mirë të reformave politike dhe atyre ligjore që veprojnë në Shqipëri për të zbatuar Marrëveshjen e Asociimit dhe për të përqafuar procesin e anëtarësimit në BE./k.s/j.p/























