Ballina Aktualitet

Përurohen në Drenas shtatoret e heronjve Fehmi dhe Xhevë Lladrovci

TIRANË, 20 shtator /ATSH/ – Në 20-vjetorin e rënies, sot në Drenas janë zbuluar shtatoret e dëshmorit Fehmi Lladrovci dhe heroinës Xhevë Krasniqi-Lladrovci.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili përshëndeti përurimin në Drenas të shtatores së dy patriotëve e veprimtarëve të paepur në luftën çlirimtare të Kosovës, bashkëshortët Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, të cilët ranë heroikisht për çlirimin e Kosovës.

Në prani të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Kryeministrit Ramush Haradinaj, Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, si dhe shumë ish-luftarëve të UÇK-së, përfaqësues nga trojet shqiptare në Maqedoni, Mal të Zi, Lugina e Preshevës, Presidenti Meta u shpreh, “le t’i themi faleminderit, heroit Fehmi Lladrovcit dhe heroinës Xhevë Krasniqi-Lladrovcit, që na bashkuan të gjithëve sot këtu për t’u uruar rikthimin në bronz në Drenas, në Drenicë e në Kosovë, pasi ata janë jo vetëm nderi i historisë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por janë nder i mbarë kombit shqiptar, sepse janë një shembull i jashtëzakonshëm i sakrifikimit më sublim në emër të lirisë dhe të emër të idealeve më të mëdha të cilat sollën Kosovën e lirë dhe Kosovën e pavarur. Trashëgimia më e madhe që Fehmi Lladrovci, Xhevë Krasniqi-Lladrovci, por edhe Jasharajt, Haradinajt dhe mbarë heronjtë e Kosovës kanë lënë është “Kosova e lirë, Kosova e pavarur, Kosova europiane dhe Kosova në NATO”.

“Padyshim, që Kosova ka mjaft sfida, të cilat ne besojmë se do t’i përballojë me sukses, nga liberalizimi i vizave, që shpresojmë se do të ndodhë shumë shpejt, te ecja përpara e proceseve integruese në BE, padyshim edhe sa i takon anëtarësimit të saj në NATO. Nuk duhet të harrojmë që një nga veprat e këtyre heronjve ishte pikërisht që e sollën NATO-n në Kosovë, në emër të lirisë së këtij populli, por edhe të sigurisë së Kosovës dhe të mbarë rajonit tonë”, – tha Meta.

“Liria dhe pavarësia nuk janë të dhëna një herë e përgjithmonë, ashtu sikurse kemi të gjithë një rrugë të madhe përpara për t’i dhënë Kosovës, Shqipërisë dhe rajonit tonë edhe më shumë paqe, edhe më shumë siguri edhe më shumë begati, edhe më shumë rini. Kjo është shumë e rëndësishme dhe unë besoj se mesazhi që ata kanë lënë pas me sakrificën e tyre më sublime do të na bashkojë të gjithëve për të punuar bashkë për të mirën e Kosovës, Shqipërisë, të rajonit tonë e sidomos për t’i edukuar fëmijët tanë, të rinjtë tanë, me ndjenjat e atdhedashurisë dhe të sakrificës, në emër të lirisë dhe të atdheut”, – theksoi Meta.

Presidenti Meta vendosi një kurorë me lule në shtatoren e përuruar të dy atdhetarëve Fehmi dhe Xhevë Lladrovci dhe u përul me nderim e respekt para veprës dhe heroizmit të tyre.

I pranishëm në këtë manifestim ishte edhe ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko.
“Jam i nderuar që sot nën hijen e një familje të lidhur me UÇK me qëllimin më të vjetër të qytetarëve atë të lirisë, këta dy buste nuk i takojnë vetëm Kosovës, por të gjithë shqiptarisë“, – tha Majko.

Në përurimin e shtatoreve të heronjve Fehmi e Xhevë Lladrovci, ishin pjesëmarrës figura të larta politike nga Kosova dhe rajoni.

Manifestimi u mbajt në sheshin “Fehmi Lladrovci” në Drenas. Fehmi Lladrovci dhe Xhevë Krasniqi-Lladrovci, të cilët ishin bashkëshortë, kanë rënë heroikisht gjatë luftimeve me armikun më 22 shtator të vitit 1998 në malet e Qyqavicës.

/gj.mima/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRruga Tiranë-Elbasan përfundon në dhjetor 2018
Artikulli tjetërTatimet: Bizneset që do të paguajnë tatim fitimi 5% më 1 janar 2019