Gjiknuri: I kemi dhënë zgjidhje përfundimtare inxhinierike rrëshqitjeve në segmentin Tiranë-Elbasan
TIRANË, 20 shtator /ATSH/- Rruga Tiranë-Elbasan përfundojë në fund të këtij viti, (dhjetor 2018).
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri tha sot se punimet për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan pritet të mbyllen në fund të muajit dhjetor të këtij viti.
Gjatë fjalës së tij në seancën plenare të Kuvendit ku po diskutohet projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, me vlerë 16 milionë USD ndërmjet Shqipërisë dhe Fondit OPEC, për riparimet emergjente të autostradës Tiranë – Elbasan”, Gjiknuri tha se, punimet që do të kryhen do të zgjidhin përfundimisht problemin e rrëshqitjeve në segmentin Nr 3 të rrugës Tiranë-Elbasan.
“Aktualisht kemi mbyllur procedurën për segmentin Nr 3 (Dalje e Tunelit – Elbasan). Aty ka pasur një rrëshqitje, një fenomen gjeologjik dhe pas studimit të detajuar i është dhënë një zgjidhje përfundimtare inxhinierike dhe këto ditë është shpallur edhe fituesi dhe shumë shpejt edhe kjo pjesë do të riparohet përfundimisht dhe rruga Tiranë – Elbasan në fund të vitit do të jetë një rrugë me të gjitha standardet dhe e përfunduar ashtu siç duhet”, – tha Gjiknuri.
Gjatësia totale e rrugës është 27 km, gjerësia është 28 m, me dy karexhata të pavarura me nga dy korsi lëvizjeje (me gjerësi 3.75 m) dhe me nga një korsi emergjence (me gjerësi 3.00 m) secila.
Rruga është e ndarë në tre segmente: segmenti 1 Tiranë – hyrje e Tunelit të Kërrabës, segmenti 2 Tuneli i Kërrabës, segmenti 3 dalje e Tunelit – Elbasan. Ndërtimi i kësaj rruge financohet nga Banka Islamike për Zhvillim, Fondi Abu Dhabi dhe OFID (OPEC) dhe qeveria shqiptare.
Aksi Tiranë-Elbasan ka filluar ndërtimin prej kohësh, ndërsa në pranverën e 2013-ës u hap edhe tuneli i Kërrabës, por që prej asaj kohe, mbyllja e punimeve është shtyrë në mënyrë të vazhdueshme dhe janë miratuar disa herë fonde shtesë. e.xh/ /a.g/











