RUSI – Ushtria denoncon videot e ”trukuara” të MH17

MOSKË, 17 shtator /ATSH-AFP/ – Rusia paraqiti sot prova që mundësojnë, sipas saj, për të akuzuar ushtrinë ukrainase për avionin e linjës MH17 të ”Malaysia Airlines”, i cili u rrëzua nga një raketë në vitin 2014 në lindje të Ukrainës.

Ajo i cilësoi të trukuara videot ku pala ruse ishte e akuzuara kryesore.

Duke u bazuar në disa dokumente, deri atëherë konfidenciale, të hartuara nga konceptuesi i raketës, ushtria ruse bëri të ditur në një konferencë shtypi se raketa ishte dërguar me tren në një njësi ushtarake sovjetike, në perëndim të Ukrainës.

”Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, raketa nuk është futur në territorin rus dhe ka përfunduar te ushtria ukrainase”, shtoi gjenerali Nikolai Parchine, i cili drejton divizionin përgjegjës të raketave në ushtrinë ruse.

”Rëndësia e këtyre zbulimeve na shtyu për të marrë vendimin e paprecedentë për të deklasifikuar këto dokumente”, tha ai.

Këto informacione iu dërguan hetuesve ndërkombëtarë, të ngarkuar për të hedhur dritë për këtë tragjedi./ /v.b/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.