Ballina Bota

PARIS – Kurz kërkon një samit BE-Afrikë për migracionin

PARIS, 17 shtator /ATSH-AFP/ – Tri ditë para një samiti europian, ku fokusi kryesor do të jetë migracioni, kancelari austriak, Sebastian Kurz njoftoi organizimin e një samiti BE-Afrikë në dhjetor, ndërsa presidenti francez, Emmanuel Macron kërkon forcimin e dëbimit të migrantëve të paligjshëm.

Kancelari austriak, i cili u prit sot nga lideri francez në Elize, u shpreh për organizimin e një samiti Europë-Afrikë në muajin dhjetor, por kërkonte mbështetjen e Francës.

”Ne duam të përqëndrohemi në zhvillimin ekonomik të Afrikës”, tha ai.

Austria, që mori në korrik presidencën e radhës të BE-së, do të organizojë samitin europian të Salzburgut më 20 dhjetor.

Kancelari Sebastian Kurz, 32 vjeç, i cili po mban një vijë të ashpër kundër imigracionit, ia doli të fitojë në sajë të kësaj çështje zgjedhjet legjislative të tetorit 2017 dhe drejton një qeveri të së djathtës dhe ekstremit të djathtë.

Në një deklaratë për shtypin në momentin e mbërritjes në Elize, lideri austriak tha se mbështeste propozimin e presidentit të Komisionit, Jean-Claude Juncker për forcimin e ‘’Frontex’’, agjencia europiane për mbrojtjen e kufijve, me 10 000 roje kufitare deri në 2020./ /v.b/ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOTO/ “Rruga e portave” në Rehovë, destinacioni që ruan traditën shekullore
Artikulli tjetërEksportet e mallrave pësojnë rritje 10.4 % në gusht