Banka e Shqipërisë konferencë mbi rolin e parasë gjatë luftërave

TIRANË, 15 shtator /ATSH/- “Roli i parasë gjatë luftërave”, është tema e konferencës së dytë, që organizon Banka e Shqipërisë më 20 shtator 2018, në selinë e saj qendrore, në Tiranë.

Qëllimi i kësaj konference është të mbledhë së bashku historianë, numizmatë, arkeologë, studiues të historisë monetare e ekonomike, kërkues me përvojë por dhe të rinj, për të prezantuar e diskutuar gjetjet e studimeve të tyre për rolin që ka luajtur paraja përgjatë zhvillimit të luftërave dhe anasjelltas ndër shekuj.

Konferenca njëditore i kushtohet temës: “Roli i parasë gjatë luftërave” dhe do të organizohet në sesione të fokusuara nga periudha e lashtësisë deri në atë bashkëkohore.

Banka e Shqipërisë është angazhuar prej vitesh në zgjerimin dhe thellimin e kulturës financiare të publikut në vend, përmes aktiviteteve dhe botimeve edukative, si dhe Muzeut të saj.

Muzeu i Bankës së Shqipërisë përfaqëson edhe një destinacion të ri turistik në zemër të Tiranës, si dhe një qendër të përhershme informacioni, ku publiku i gjerë mund të mësojë më shumë mbi të gjitha aspektet e parasë dhe të ekonomisë, si dhe të kuptojë më mirë funksionin e Bankës Qendrore.

Muzeu i Bankës së Shqipërisë u inaugurua më 30 tetor 2015, si një ndërthurje midis muzeales dhe didaktikes. Ai ndodhet brenda ndërtesës së bankës qendrore në sheshin kryesor të kryeqytetit dhe shtrihet në dy kate, ku secili është konceptuar si një hapësirë e pavarur nga tjetra.

Në katin e parë, në të cilin ndodhet edhe Dhoma e Thesarit ose siç njihet ndryshe “Rondo”, prezantohet koleksioni i pasur numizmatik i Bankës së Shqipërisë. Këtu, vizitorët mund të njihen nga afër me vlerat historike dhe numizmatike që mbart monedha, përmes ekspozimit të thesareve, koleksioneve të monedhave dhe kartëmonedhave, që kanë qarkulluar dhe janë përdorur në territoret historike të vendit, nga antikiteti deri në ditët e sotme.

Ndërkohë, në katin e dytë prezantohet historia e institucionit të bankës qendrore në Shqipëri, roli i saj në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe në garantimin e stabilitetit financiar të vendit, si dhe funksionet kushtetuese. Por muzeu ynë nuk është vetëm një muze monedhe. Me një fokus të veçantë në edukimin e publikut, kati i dytë i tij shërben edhe si një qendër informacioni, ku vizitorët mund të informohen në mënyrë interaktive si dhe të zhvillojnë orë mësimore, leksione apo aktivitete të tjera didaktike në fushën e parasë dhe të ekonomisë. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.