Nikolla: Kemi një sistem arsimor totalisht të transformuar

TIRANË, 14 shtator /ATSH-Gjergji Mima/ – “Sot punojmë me një vizion krejt të ri në të tërë sistemin tonë arsimor. Nga shkolla e lemerisë së teksteve në shkollën e teksteve me standarde ndërkombëtare”.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla u shpreh sot gjatë një takimi me mësuesit, se, “400 mijë nxënës sivjet do të punojnë me këtë kurrikul të re dhe do të përmbyllim kurrikulën e re me standarde europiane në të gjithë arsimin shqiptar”.

“Kemi një sistem totalisht të transformuar. Kemi një sistem konform standardeve europiane. Keni në dispozicion një portal të dedikuar, module të akredituara”, – tha Nikolla.

“Nuk ka qenë e lehtë të përmbushnim shumë prej reformave në të gjithë sistemin. Unë dhe kolegët e mi kanë ndjerë peshën e kritikave, të cilat kokëulur i kemi ndjekur. Por jo rrallë herë jemi akuzuar për improvizime, paaftësi, show. Madje çdo nisëm etiketohej si skandali i radhës në arsim. Filloi një vit shkollor i ri. Më lejoni të rendis, se çfarë kemi mundur të bëjmë. Kemi tekste me standard nga shtëpi prestigjoze dhe falas për 190 mijë nxënës. Kemi një sistem totalisht të ngritur nga e para të kualifikimit dhe trajnimit tuaj”, – u shpreh Nikolla.

“Pse këta nuk pyetën njëherë për rezultatet e dobëta të arsimit shqiptar në sistemin PISA. Pse i lanë 4 mijë mësues jashtë sistemit. Pse nuk gjetëm një standard për problematikat. Çfarë analizonin ata në mënyrë cilësore dhe profesionale. Po si i zinte gjumi kur specialistë ndërkombëtare theksonin se është nevoja urgjente për ndryshimin e kurrikulës shqiptare nga mbingarkesa”, – u shpreh Nikolla.

“Mësuesja nga Patosi tha sot se si modeli i mësimdhënies së saj, përdoret dhe nga vende të Bashkimit Europian. Po me tekstet e vjetra do të mundej mësuesja sot të shpallej fituese për modelin e saj të orës së matematikës. Ndaj Faleminderit mirënjohje të thellë asaj dhe të gjithë mësuesve të Shqipërisë që e bënë të mundur këtë”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.