Gjiknuri: Bashkia Shkodër të japë dritën jeshile për bypass-in

TIRANË, 12 shtator/ATSH/ “Bashkia e Shkodrës duhet të japë dritën jeshile për bypass-in dhe të mos mbajë peng një investim kaq me rëndësi”.

Ky ishte apeli që i drejtoi bashkisë së Shkodrës, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri dhe ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati, të cilët inspektuan sot kantierin e hapur në aksin rrugor Shkodër-Murriqan.

Gjiknuri kërkoi nga bashkia e Shkodrës që të bashkëpunojë dhe zhbllokojë investimin e qeverisë për bypass-in e qytetit.

“Ne në Shkodër kemi investime të tjera të rëndësishme, siç është përfundimi i unazës së Shkodrës. Unë i bëj thirrje bashkisë së Shkodrës që të japë përfundimisht dritën jeshile të zgjidhjes dhe vazhdimit të atij projekti, në bazë të projektit të rishikuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar”, – tha Gjiknuri.

Ai u shpreh se “shpresojmë në dhënien e dritës jeshile nga bashkia për të vazhduar me punimet për bypass-in, duke eleminuar futjen e kamionëve dhe rëndesën e trafikut brenda qytetit”. “Kryetarja e bashkisë duhet ta japë këtë zgjidhje që ARRSH të vazhdojë zbatimin e kontratës”, – nënvizoi Gjiknuri.

Edhe ministri Bushati tha se “shpresoj të gjejmë bashkëpunimin e duhur me autoritetet vendore këtu për t’i zbatuar projektet një orë e më parë”. /m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.