https://www.facebook.com/edirama.al/videos/920362464831719/
TIRANË, 10 shtator/ATSH/ Me tekstet e reja të shkollës nga shtëpitë më prestigjioze botuese si Pearson, Oxford dhe Cambridge këtë vit të ri shkollor do të thellohet kthesa historike, që kemi nisur në arsimin shqiptar.
Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot se krahas librave shkollorë falas për 190 mijë fëmijë kemi edhe tekstet e reja të shkollës.
“Mirëmëngjes dhe me këtë dëshmi se si krahas librave shkollorë falas për 190 mijë fëmijë, tekstet e reja të shkollës nga shtëpitë më prestigjioze botuese si Pearson, Oxford dhe Cambridge do ta bëjnë këtë vit të ri shkollor, vitin e thellimit të kthesës historike, që kemi nisur në arsimin shqiptar, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan Kryeministri Rama.
Viti i ri shkollor për herë të parë ka tekste falas nga klasa I në të IV. Deri dje kishte 1300 tekste alternative, kaos në përzgjedhje dhe gabime të panumërta. Po ashtu kishte mbingarkesë të pajustifikuar, ndërsa 50% e teksteve u refuzuan nga mësuesit.
Revolucioni i teksteve i jep fund kaosit, gabimeve, mbingarkesës.
Anila Lala mësuese bio-kimie, në gjimnazin “Sami Frashëri”, shprehet se me kurrikulën e vjetër nxënësit në një moshë shumë të vogël ishin të detyruar të profilizoheshin që 14 vjeç dhe e kishin shumë të paqartë lidhjen e shkencave me jetën e përditshme.
Me tekstet e reja, shprehet ajo, lidhet jeta e përditshme me ato që mësohet në shkollë. “Risia që solli kurrikula e re e sjell kiminë më afër jetës së përditshme dhe ndihmon mësuesit të zbatojnë më shumë teknika mësimdhënie”, tha ajo./m.m/






















