TIRANË, 10 shtator/ATSH/ – Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, theksoi sot se e gjithë lufta që është zhvilluar nga Partia Demokratike për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar është bërë që ajo vetë të marrë pjesë në tender.
Në një reagim, pas deklaratave të PD në lidhje me dokumentin e Bashkimit Europian, për mënyrën sesi duhet vepruar për ndërtimin e Teatrit Kombëtar, Braçe shprehet se “po lexoj se Partia Demokratike, po bërtet: fituam ne për Teatrin. BE na dha ne të drejtë. Tani, një pyetje kam: Këta, Lulzim Basha me shokë, luftuan për të mos u prishur godina me tallash e Teatrit, apo luftuan për t’u bërë pjesë në tender?”
“Nga gjithë çfarë po thonë, kuptoj se e gjithë kauza paska qenë pjesëmarrja në biznes”, tha Braçe.
Deputeti i PS-së, Braçe duke iu drejtuar aktorëve u shpreh se “ja ky është Lulzimi juaj, ai që ju doli zot! Tani, për çdokënd në këtë vend, BE vlerëson përpjekjen për të ndërtuar teatrin e ri dhe kërkon garë për ofertën më të mirë”.
“Teatri i ri do të ndërtohet”, përfundon Braçe./k.s//e.caushi/























