TIRANË, 5 shtator/ATSH/ Partia Demokratike reagoi sot për “mbylljen e dhjetra shkollave në çdo bashki të Shqipërisë”, që sipas saj, “tregon agoninë në të cilën arsimi shqiptar ka rënë”.
Kryetarja e komisionit të Medias, Albana Vokshi tha sot se “nuk bëhet fjalë për klasa kolektive, por për shkolla mëmë që mbyllen: 16 në Fier, 9 në Vlorë, 8 në Lezhë janë këmbanë alarmi për të gjithë prindërit se situata është katastrofë”.
“Braktisja e shkollave nga 133 mijë nxënës dhe mbyllja e dhjetëra shkollave, është rezultati shkatërrimtar i qeverisë Rama për arsimin. Po ashtu kemi rritjen në 64 mijë të numrit të analfabetëve, si dhe mungesën totale të kushteve të mësimdhënies në gjysmën e shkollave të vendit”, tha ajo.
Për Partinë Demokratike, vijoi Vokshi, arsimi cilësor është prioritet i të gjitha prioriteteve, si kontributi më madhor për rininë dhe të ardhmen./m.m/r.e/











