Ballina Bota

FRANCË – Macron: G7-a duhet reformuar

PARIS, 27 gusht /ATSH-AFP/ – Presidenti francez, Emmanuel Macron shpreson të reformojë G7-ën, që kishte shfaqur përçarje në qershor si dhe të përforcojë dialogun mes këtij klubi të vendeve më të industrializuara dhe Kinës, Indisë dhe Afrikës.

“Nuk duhet ta riprodhojmë më këtë teatër hijesh dhe përçarjesh që më shumë na ka dobësuar sesa na ka bërë të përparojmë”, theksoi ai para ambasadorëve francezë në botë.

Samiti i fundit i G7-ës përfundoi me një fiasko në qershor në Kanada, pasi presidenti amerikan Donald Trump kundërshtoi tekstin përfundimtar dhe kishte filluar një debat të ashpër virtual kundër kryeministrit kanadez, Justin Trudeau nën sfondin e mosmarrëveshjeve tregtare.

“Shpresoj që të rinovojmë formatet dhe ambiciet”, shtoi Emmanuel Macron, vendi i të cilit ka presidencën e radhës së G7-ës në vitin 2019, pas Kanadasë në vitin 2018.

“Do t’i propozoj deri në fund të vitit vendeve të tjera anëtare një reformë që është në të njëjtën linjë me atë të SHBA-së që do të marrë pas nesh presidencën e G7-ës në vitin 2020”, theksoi shefi i shtetit.

G7-a është një grup joformal i fuqive të mëdha (Francë, Britani e Madhe, Gjermani, Itali, Japoni, Kanada dhe SHBA) i krijuar në vitin 1975, fillimisht për të biseduar për çështje ekonomike dhe më pas për tematika të tjera si paqja, mjedisi dhe terrorizmi. /G.S/ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakHoxha kërkon angazhim të përbashkët në procesin integrues

 të Kosovës
Artikulli tjetërFRANCË – Macron: Regjimi sirian kërcënim për një krizë të re humanitare