Ballina Kosova

Kosovë – Qeveria fond emergjent për komunën e Mamushës

PRISHTINË, 23 gusht/ATSH/ – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj priti sot në takim kryetarin e komunës së Mamushës, Abdulhadi Krasniqi dhe deputetët nga Partia Demokratike Turke e Kosovës, Fikrim Damka dhe Mufera Shinik, që janë pjesë e Grupit Parlamentar 6+ në Kuvendin e Kosovës.

Në këtë takim u bisedua për arritjet në komunë, investimet në infrastrukturë, zhvillimin ekonomik dhe për prioritetet e qeverisë në përkrahje të bujqve të komunës së Mamushës.

Kryeministri Haradinaj u njoh nga kryetari Krasniqi për dëmet që u janë shkaktuar ekonomive familjare dhe bujqve të Mamushës nga reshjet e shiut.

“Kemi marrë detyrimin që ashtu si për komunat e tjera të prekura nga përmbytjet ashtu edhe për Mamushën të ndajmë një fond emergjent, kurse për dëmet e tjera në infrastrukturë dhe biznese qeveria do t’i marrë detyrimet e veta në bazë të vlerësimit të ekspertëve të komunës, Ministrisë së Bujqësisë dhe asaj të Infrastrukturës”, – tha Haradinaj.

Kryetari i komunës së Mamushës, Abdulhadi Krasniq, falënderoi Kryeministrin Haradinaj për gatishmërinë e tij dhe të qeverisë për të mbështetur komunën e Mamushës.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e djeshme ka miratuar vendimin për ndarjen e 1 milion e 100 mijë eurove për të mbështetur komunën e Suharekës për të përballuar pasojat e shkaktuara nga përmbytjet e para disa ditëve.

Kosova ka gjithsej 38 komuna, 27 janë me shumicë shqiptare, 10 me shumicë serbe dhe 1  (Mamusha) është e banuar me shumicë nga komuniteti turk, që është një nga minoritetet tjera në Kosovë. /b.j/k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBRUKSEL – BE-ja miraton 18 milionë euro për të mbështetur ekonominë iraniane
Artikulli tjetërJAPONI – Për herë të parë një grua pilote e një avioni luftarak