Ballina Aktualitet

Pelegrinazh në malin e Tomorit për festën e Abaz Aliut

TIRANË, 22 gusht/ATSH/ Mijëra besimtarë bektashinj kremtuan sot festën e Abaz Aliut në malin e Tomorit.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm Presidenti i Republikës Ilir Meta, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Haxhi Dede Edmond Brahimaj, drejtues vendorë, përfaqësues të huaj, besimtarë bektashinj etj.

Presidenti Meta vlerësoi pelegrinazhin e përvitshëm madhështor në malin e Tomorit, ndërsa foli edhe për figurën e jashtëzakonshme të Abaz Aliut, që edhe sot e kësaj dite vazhdon të frymëzojë brezat e rinj dhe besimtarët bektashinj.

“Dhe sot e kësaj dite ne shohim me kënaqësi se madhështia e veprës të jashtëzakonshme në dobi të njerëzimit dhe të vlerave më të larta dhe të përjetshme njerëzore të Abaz Aliut i tërheq si një magnet besimtarët shqiptarë dhe nga e gjithë bota në këtë mal të shenjtë”, – tha Meta.

Bektashizmi, që si devizë të tij ka pasur gjithmonë “Pa atdhe nuk ka fé”, sipas Presidentit, “është në radhë të parë një përkushtim ndaj atdheut, ndaj kombit, është një shërbim për bashkëjetesën, për tolerancën, për bashkëpunimin në shërbim të një çështjeje më të madhe e që na bashkon të gjithëve”.

“Kjo shoqëri mund të ketë të ardhme vetëm bazuar në këto vlera shumë të fuqishme njerëzore e shoqërore për të cilat u sakrifikua Abaz Aliu dhe mjaft figura të tjera. Kemi nevojë ta duam njëri-tjetrin më shumë dhe t’i japim edhe më shumë shpresë, besim dhe durim të rinjve dhe të rejave tanë, në mënyrë që ata ta shikojnë të ardhmen në këto vise të mrekullueshme ku mundësitë për zhvillim janë shumë më të mëdha”, – tha Meta.

/m.m/ j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKomuna e Prishtinës nis fazën e pestë të dezinsektimit
Artikulli tjetërQeveria e Kosovës, 1.1 milionë euro për dëmet nga përmbytjet në Suharekë